01/03/2023• Aktivitetet• Bianka Hada
Zonja e Parë Armanda Begaj ishte e pranishme në finalizimin e konkursit “Pyet Gjyshërit” të organizuar nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë në kuadër të “Ditëve të Kujtesës 2023”, që ka në fokus vetëdijësimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve për të shkuarën komuniste të Shqipërisë.
Duke vlerësuar konkursin që këtë vit vinte në edicionin e tij të pestë, Zonja e Parë u shpreh se “Është gjëja e duhur të kujtosh të shkuarën, të shkuar të hidhur për ne shqiptarët, jo për ta lartësuar por për të mos harruar viktimat dhe vuajtjet e tyre,” tha zonja Begaj, tek sa falenderoi të rinjtë për punimet e tyre emocionuese.
Ashtu si edhe në edicionet e shkuara, konkursi “Pyet Gjyshërit“ kishte ftuar të rinjtë e moshës 15–19 vjeç të reflektonin për të shkuarën në Shqipëri permes punimeve kreative individuale ose në grup. Me anë të këtij konkursi, gjimnazistët kanë mundur të tregojnë ngjarje të përjetuara nga familjarët e tyre, përfshirë raste persekutimesh, përndjekjesh apo pushkatimesh në diktaturë. Mbi 150 punime kreative nga të rinjtë janë realizuar në ese, arte figurative, multimedia dhe realizimet më të mira janë vlerësuar me çmime.