11/05/2023• Aktivitetet• Bianka Hada
Presidenti i Republikës së Polonisë, zoti Andrzej Duda, në vizitën shtetërore në Shqipëri u shoqërua nga bashkëshortja e tij znj. Agatha Kornhauser-Duda.
Ne kuadër të kësaj vizite, Zonja e Parë e Shqipërisë, Armanda Begaj, e priti znj. Duda në një takim të veçantë.
Gjatë bisedës së tyre të ngrohtë shkëmbyen mendime dhe ide mbi përgjegjësitë dhe fokusin e aktiviteteve të tyre si Zonja të Para.
Znj. Begaj e njohu znj. Duda që në fokusin e saj dhe të Presidentit Begaj ndër të tjera është edukimi i brezit të ri, veçanërisht nxitja e tyre në leximin e librit shqip si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të vendit.
Zonjat e Para ndanë së bashku bindjen se edukimi i brezit të ri është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e një vendi.
Më tej vijuan me një vizitë në Institutin “Ramazan Kabashi”, ku u njohën nga afër me punën e stafit dhe me ambientet e posaçme dedikuar fëmijëve me probleme shikimi.
Te dyja Zonjat e Para patën kënaqësinë të dëgjonin me shumë emocion fëmijët të recitonin dhe të luanin në piano, por edhe të bisedonin më ta mbi pëlqimet dhe dëshirat e tyre për të ardhmen.
“Mua, Agatën dhe ju na bashkon dëshira dhe vullneti për ta lexuar librin, edhe pse secili prej nesh në gjuhë të ndryshme.”- u shpreh znj. Begaj.
Ndaj dhe znj. Begaj e znj. Duda dhuruan disa libra për fondin e këtij instituti.
Në dhomën e regjistrimit këto libra do të regjistrohen me zë, me kontributin e vullnetarëve të shumtë.