08/03/2024• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Komandën Strategjike të NATO-s për Operacionet, ku pati një takim kokë më kokë me Komandantin Suprem, Gjeneral Cavoli.
Siguria globale, siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor, roli i Shqipërisë si kontributor për paqen, sigurinë dhe orientimin euroatlantik të rajonit, si edhe fuqizimi i kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë dhe kontributi i drejtpërdrejtë në NATO, ishin disa nga çështjet ku u fokusuan bisedimet Begaj-Cavoli.
“Sot situata e sigurisë është përkeqësuar dhe konflikti në Lindjen e Mesme, si dhe agresioni brutal rus kundër Ukrainës, kanë tendencë të përhapen edhe në rajone të tjera. Situata në Ballkanin Perëndimor vijon të jetë e brishtë, gjë që na rikujton se sa mund e përpjekje duhet që të mbrohen jo vetëm parimet demokratike, por edhe paqja dhe siguria e vendeve tona”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Presidenti Begaj e siguroi Gjeneral Cavolin se “Shqipëria do të jetë gjithmonë aty ku NATO do të ketë nevojë, sikundër e ka dëshmuar me prezencën e saj në misionet dhe operacionet e NATO-s në Afganistan, KFOR (Kosovë), Letoni, Bullgari dhe Irak.
Nga ana tjetër, Presidenti Begaj vlerësoi në veçanti investimin që NATO bëri në Bazën Ajrore të Kuçovës, që u inaugurua vetëm 4 ditë më parë, duke theksuar se “Shqipëria ofron dhe mirëpret angazhimin dhe investimin e NATO-s për të shndërruar portin e Porto Romano-s në një bazë detare të saj”.