14/12/2023• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, u takua sot në Sofje me Presidentin e Republikës së Bullgarisë, Sh. T. Z. Rumen Radev, për një vizitë zyrtare me ftesë të këtij të fundit.
Thellimi i bashkëpunimit ekonomik, ecuria e procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe ai në kuadër të mbrojtjes dhe të sigurisë së dy vendeve në NATO, ishin pikat kryesore të bisedës.
Gjithashtu, u bisedua edhe për vijimësinë e politikave të deritanishme ndaj minoriteteve respektive në të dyja vendet.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun bullgar Radev, Presidenti Begaj nënvizoi vullnetin dhe interesin e Shqipërisë për të fuqizuar bashkëpunimin ekonomik me Bullgarinë, përfshirë edhe shkëmbimet tregtare, ndërkohë që shprehu mirënjohje për projektet e mbështetura nga Bullgaria në rajonin tonë Juglindor.
Sot, – u shpreh Presidenti Begaj, janë të gjitha kushtet dhe mundësitë, si të kuadrit ligjor, edhe të klimës së favorshme të biznesit, sikurse edhe interesit të përbashkët, që ky bashkëpunim të fuqizohet edhe më shumë.
“Sesioni i ardhshëm i Komisionit të Përbashkët Ekonomik do t’i adresojë me shumë kujdes dhe mirë të gjitha mundësitë dhe do t’i vendosë në lëvizje të gjithë mekanizmat përkatës”, deklaroi Presidenti Begaj.
Presidenti, gjithashtu, theksoi se duhet shfrytëzuar sa më mirë projekti i Korridorit 8-të.
“Një vlerë e shtuar në këtë drejtim dhe që duhet shfrytëzuar sa më mirë, është dhe projekti gjeostrategjik i Korridorit 8-të, për të cilin shpreha mirënjohje për lobimin domethënës të Bullgarisë në përfshirjen e tij në rrjetin e transportit Trans-Evropian”, – deklaroi Kreu i Shtetit.
Presidenti e përgëzoi Bullgarinë për mbështetjen e integrimit evropian të Shqipërisë, të cilin e vlerësoi si “projektin më madhor strategjik”, ndërsa shprehu besimin se e njëjta qasje do të jetë edhe gjatë negociatave të anëtarësimit në Union.
“Kushtet aktuale të sigurisë së kontinentit tonë, pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, janë bërë shumë delikate, ndaj dhe vlerësova se fokusi gjeopolitik i Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë një ndër prioritetet kryesore të tij”.
Një vëmendje të veçantë Presidenti Begaj i kushtoi bashkëpunimit në kuadër të mbrojtjes dhe të sigurisë, si dhe kontributit të trupave bullgare në Kosovë si pjesë e KFOR-it.
Gjatë konferencës së përbashkët të shtypit me presidentin bullgar, Presidenti Begaj bëri të ditur se e kishte njohur homologun e tij edhe me rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB.