05/05/2024• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, uroi sot besimtarët ortodoksë shqiptarë për Pashkën.
Bashkë me urimin për Pashkë të bekuara e të gëzuara, Kreu i Shtetit përcolli mesazhin e bashkimit dhe mbështetjes së njëri-tjetrit në nevojë, duke shpërndarë besim dhe optimizëm në shoqërinë shqiptare.
Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës për Pashkët:
“Gëzuar Pashkën, ditën e besimit dhe të shpresës, për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë!
Kjo festë e shenjtë përbashkon sot kudo të gjithë besimtarët ortodoksë.
Pashkët na ftojnë të kemi besim e të jemi shpresëplotë për jetën.
Të mbështesim vëllazërinë, miqësinë e shoqërinë në të mirë e në të keq.
Pashkët simbolizojnë dritën e jetës, ngadhënjimin e jetës mbi vdekjen.
Qirinjtë që besimtarët ortodoksë marrin sot nga flaka e kandilit në kishë dhe i çojnë në shtëpitë e tyre mbartin me vete shpresën, besimin dhe optimizmin për një jetesë të paqtë, të gëzuar e plot shëndet.
Ringjallja e këtyre tre elementeve është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë.
Pashkë të bekuara e të gëzuara për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë, kudo po i festojnë!