Presidenti Begaj takon Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar Shteti i Vatikanit
Në kuadër të vizitës në Selinë e Shenjtë, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Bajram Begaj, zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.
Presidenti Begaj vlerësoi ecurinë e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërshtetërore, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991.
Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu rolin dhe mbështetjen që Selia e Shenjtë dhe në mënyrë të veçantë Papa Françesku kanë dhënë jo vetëm për rimëkëmbjen shpirtërore të shqiptarëve të besimit katolik, por veçanërisht për lartësimin e historisë dhe të modelit të bashkëjetesës e të harmonisë fetare të shqiptarëve.
Presidenti Begaj e njohu gjithashtu Kardinalin Parolin me vokacionin dhe progresin e Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian, angazhimet e saj në kuadër të forcimit të fqinjësisë së mirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe kontributin si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023.
Duke u ndalur tek çështja e Kosovës, Presidenti Begaj, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira kanonike mes Selisë së Shenjtë dhe komunitetit katolik të Kosovës si dhe shprehu besimin për angazhimin e mëtejshëm të Shtetit të Vatikanit në konsolidimin e paqes dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Me gjithë progresin e bërë, paqja dhe siguria në rajon mbeten ende shumë të brishta, ndaj dhe arritja e një marrëveshje, ligjërisht të zbatueshme, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte kontributi më i mirë për paqen, stabilitetin dhe progresin e të gjithë rajonit” – nënvizoi Presidenti Begaj.