13/03/2023• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj u takua me Presidentin e Azerbajxhanit, Sh.T.Z. Ilham Aliyev, në kuadër të “Global Baku Forum”, që u mbajt në Baku, Azerbajxhan.
Presidenti Begaj vlerësoi takimin me homologun e Azerbajxhanit. “Bisedimet tona u fokusuan tek çështjet e energjisë dhe rajoni, si dhe tek mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dy palëshe, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe turizmit. Shpreha besimin se fryma e bashkëpunimit dhe e mirëkuptimit që ekziston midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit do të çojë përpara marrëdhënien mes dy vendeve,” tha Presidenti Begaj.
Tema e këtij viti në forum ishte “The world of Today; challenges and hopes”. Presidenti Begaj ishte pjesë e sesionit me temë “Ballkani perëndimor në kontekstin e Bashkimit Evropian”.
Forumi “Global Baku Forum” organizohet nga “Nizami Ganjavi International Center“ me qendër në Baku dhe ka si mision promovimin e Edukimit, Tolerancës, Dialogut, Mirëkuptimit dhe Shoqërisë së Përbashkët. Bordi i tij përbëhet nga disa presidentë, kryeministra, akademikë e ambasadorë të rëndësishëm nga vende të ndryshme të botës.