15/04/2024• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, gjatë qëndrimit në Prishtinë, në kuadër të forumit ndërkombëtar për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, u prit sot në selinë e Presidencës së Republikës së Kosovës në një takim kokë më kokë nga Presidentja e Republikës së Kosovës Sh. S. Znj Vjosa Osmani.
Pas takimit të dy presidentët dhanë një prononcim për mediat:
Prononcimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Faleminderit, Presidente Osmani!
Është gjithmonë kënaqësi të jem në Kosovë, siç e them shpesh, në shtëpinë time të dytë.
Është kënaqësi të marr pjesë në forumin e rëndësishëm ndërkombëtar për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, një forum që shërben si një soft poëer për Kosovën dhe tregon se ne duhet të mësojmë nga historia dhe ta vlerësojmë mirë atë, se përveç jetëve të humbura që duhet të nderojmë, duhet të nderojmë dhe ata njerëz që janë dhunuar gjatë asaj kohe. Dhe kush më shumë se sa gratë e kanë ndjerë këtë lloj dhunimi?!
Mendoj se dhuna është e papranueshme, e pajustifikueshme dhe çfarëdo lloj forme duhet dënuar, duhet të mos arkivohet dhe asnjëherë të mos përsëritet.
Natyrisht që nuk duhet të jetojmë me të shkuarën, duhet të vlerësojmë të tanishmen dhe të mendojmë më mirë e në mënyrë strategjike për të ardhmen.
Marrëdhëniet mes dy shteteve unë nuk do t’i quaja shumë të mira politikisht, siç është termi i zakonshëm, por janë marrëdhënie ashtu siç duhen. Janë jashtëzakonisht të mira dhe vëllazërore.
Jemi dy shtete, por jemi një komb dhe kemi detyrë për të qenë afër me njeri-tjetrin në çdo moment, në ditë të mira dhe të këqija. Natyrisht, është e rëndësishme të punojmë për popujt tanë, për mirëqenien e tyre dhe marrëdhëniet ekonomike duhet të zhvillohen.
Përveç marrëveshjeve qe janë firmosur, ato duhet të preken nga njerëzit, duhet të implementohen sa më shpejt. Unë mendoj se disa projekte strategjike, të cilat janë në realizim në të ardhmen, siç është porti i Durrësit apo hekurudha, e cila do të ndërlidhë komunikimin mes dy vendeve, janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të rritur mirëqenien e popujve tanë. Natyrisht, në marrëdhëniet ndërkombëtare një nga vlerat e Shqipërisë është që politika jonë e jashtme është e linjëzuar me atë të politikave evropiane dhe Euroatlantike.
Duke qenë pas një mandati tepër të suksesshëm të Këshillit të Sigurimit, Shqipëria e ka për detyrë të jetë gjithmonë avokate e mirë e Kosovës për njohje të reja apo për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, dhe këtë duhet ta bëjë në çdo kohë.
Jam shumë shpresplotë se nesër do të kemi një votim të suksesshëm në Këshillin e Evropës dhe kjo do të na japë akoma më shumë frymëzim për të bërë punë të mira në të ardhmen. Dëshiroj shumë që bashkëpunimi ynë të vazhdojë. Kuptohet që duhet të respektojmë njëri-tjetrin, të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të marrim këshilla nga ndërkombëtarët.
Urime për nesër dhe shumë faleminderit për pritjen e sotme!
Ishte një forum i jashtëzakonshëm dhe pritja ishte e jashtëzakonshme si gjithmonë, si në shtëpi.