Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 20230111 WA0005

Lajme

Presidenti Begaj pret Drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, zotin Qu Dongyn

Presidenti i Republikës, priti sot Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi (FAO), zotin Qu Dongyn, me të cilin bisedoi mbi bashkëpunimin e Shqipërisë  në fushat respektive me këtë organizatë të Kombeve të Bashkuara.

Duke iu referuar marrëdhënieve të gjata, si dhe faktit që këtë vit kremtohet 50-vjetori anëtarësimit të vendit në këtë organizatë, Presidenti Begaj, vlerësoi se në dy dekadat e fundit bashkëpunimi me FAO-n ka hyrë në një fazë tërësisht të re, e lidhur kjo edhe me vetë ristrukturimin e pësuar nga organizata.

Projektet e shumta të mbështetura nga FAO në Shqipëri, që nga ato të menaxhimit të tokës bujqësore e deri tek mbështetja direkte për fermerët shqiptarë, kanë një ndikim të madh për një zhvillim të qendrueshëm të bujqësisë dhe të sigurisë ushqimore, por edhe për afrimin e standardeve të vendit me ato të Politikave të Përbashkëta Bujqësore (CAP) të Bashkimit Evropian, ku vendi synon të integrohet – u shpreh Presidenti Begaj.

Duke u ndalur tek siguria ushqimore, Presidenti Begaj, vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin dhe rolin që FAO po luan veçanërisht pas krizës së krijuar në nivel global nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë.