Presidenti i Republikës së Shqipërisë

1667922263784

Lajme

Presidenti Begaj i përgjigjet interesit të gazetarëve lidhur me fenomenin e emigracionit nga Shqipëria si dhe situatën në veri të Kosovës

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i pyetur nga gazetarët sot gjatë vizitës së tij në Kukës, lidhur me komentet e fundit të Sekretares së Brendshme britanike për emigracionin nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar u shpreh se:
“Natyrisht nuk jam dakord me deklaratat e bëra nga Ministrja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar. Nuk mund të anatemohen dhe të etikohen shqiptarët si pushtues. Shqiptarët jetojnë e punojnë kudo në botë, janë integruar me shumë vende të botës, edhe në Britaninë e Madhe dhe kanë ndërtuar jetën e tyre duke paguar taksa dhe duke punuar në mënyrë të rregullt. Nuk është e drejtë të bullizohen. Natyrisht që ka edhe elemente anësorë të padëshiruar të cilët mund të kenë lidhje me aktivitete të jashtëligjshme, por gjithsesi këta nuk janë vetëm shqiptarë.
I kam kërkuar qeverisë së Britanisë së Madhe që investimet e saj ti bëjë në drejtim të këtyre zonave ku ka më shumë emigrantë dhe për faktin se problemi duhet të evidentohet dhe pas evidentimit, duhet të analizohen shkaqet dhe të gjenden rrugët e duhura për ta adresuar këtë situatë.
Rruga e duhur për mua dhe kërkesë e imja ndaj tyre është e lidhur me faktin se investimet e qeverisë britanike në këtë rajon të bëhen të tilla që të jenë të prekshme për qytetarin, pra të jenë investime që do të bëjnë të mundur që qytetarë që ikin për një jetë më të mirë – të mund jetojnë e të punojnë në Kukës, Dibër, Tropojë apo Has.
Një kërkesë tjetër e imja ka të bëjë me hapjen e një mikro-konsullate angleze në Kukës që të bëjë të mundur që qytetarët të ikin me viza të përkohshme për të punuar si punëtorë sezonalë.
I pyetur lidhur me situatën në veri të Kosovës, Presidenti Begaj tha se:
“Mesazhi im për autoritetet në veri të Kosovës është të ruhet qetësia, të vazhdojë dialogu sepse vetëm përmes dialogut arrihet zgjidhja e problemit. Siguria në tërësi globale është e cënuar. Siç e dini, sulmi i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës ka bërë që të ç’orientohet e gjithë situata e sigurisë edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor që unë e vlerësoj një situatë të qetë, por shumë të brishtë dhe në çdo kohë mund të ketë tension. Shqiptarët si një komb duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve, ne duhet të garantojmë se jemi pro paqes dhe jo pro luftës dhe të promovojmë zgjidhjen e problemeve përmes dialogut”.