Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 8337

Lajme

Presidenti Begaj në Sofje me Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, z. Rosen Zhelyazkov, dhe deputetët

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z Bajram Begaj, gjatë vizitës në Bullgari, me ftesë të Presidentit Rumen Radev, u takua edhe me Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, z. Rosen Zhelyazkov, dhe ligjvënësit bullgarë.

Presidenti Begaj përcolli falënderime për mikpritjen dhe vijimësinë e miqësisë Shqipëri-Bullgari që, siç u shpreh, – edhe pse shënohen 110 vjet marrëdhënie diplomatike, është më e hershme.

IMG 8338 scaled

“Në shtyllën kurrizore të bashkëpunimit tonë është bashkëpunimi në NATO dhe Traktati i Miqësisë midis dy vendeve, bazuar në minoritetin e ri e të vjetër shqiptar që banon në Bullgari dhe minoritetin bullgar në Shqipëri, të cilët kontribuojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve”, -deklaroi Presidenti, i cili shprehu, gjithashtu, se edhe kjo vizitë e tij në Bullgari do t’i shërbejë forcimit të kësaj miqësie.

Presidenti shprehu falënderime ndaj popullit bullgar për ndihmën e dhënë ndaj Shqipërisë për përballimin e emergjencës së tërmetit të nëntorit 2019. Ai theksoi nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të përbashkët, duke u shprehur se  inkurajon sipërmarrësit dhe Dhomat e Biznesit të gjejnë fusha me interes të ndërsjellë.

Presidenti Begaj e falenderoi Bullgarinë për mbështetjen në procesin integrues të Shqipërisë dhe u shpesh se kjo është jetike për shqiptarët.

“Fakti që na ngelin në klasë, pasi vlerësohet si e shkëlqyer puna e Shqipërisë, nuk na bën pesimistë. Ne do të vijojmë të bëjmë reformat. Ato janë për qytetarët tanë- theksoi Presidenti Begaj në takimin me Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, z. Rosen Zhelyazkov, dhe deputetët bullgarë.