Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 20230627 WA0056

Lajme

Presidenti Begaj merr pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Kryesisë së Radhës së Malit të Zi të Samitit të SEECP

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj mori pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Kryesisë së Radhës së Malit të Zi, në kuadër të Samitit të Nismës së Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore (SEECP). Takimi u organizua nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, në Podgoricë, në mbyllje të Kryesisë së Radhës së SEECP.
IMG 20230627 WA0054Presidenti Begaj, i cili kryesonte delegacionin shqiptar në Takimin e Nivelit të Lartë, mbajti një fjalë për të pranishmit, si dhe dha një prononcim për mediat.
Gjatë prononcimit për mediat, Presidenti fillimisht përgëzoi Malin e Zi për Kryesinë e Radhës të SEECP, duke konsideruar çdo nisëm që ka synim afrimin dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal të domosdoshme dhe të nevojshme.
“Vetë prezenca në këtë nisëm e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian por edhe të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, tregojnë mbështetjen e tyre për Shqipërinë, dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në rrugëtimin e tyre euroatlantik,” – tha Presidenti Begaj.
IMG 20230627 WA0053
Kreu i Shteti shtoi më tej se sfidat e shumta me të cilat po përballen shoqëritë e Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve të Evropës Juglindore janë të ngjashme, ndaj për zgjidhjen e tyre kërkohet angazhim i përbashkët, ku të përdoren praktikat më të mira dhe eksperiencat më të mira.
Duke u ndalur tek sfidat e sigurisë, Presidenti Begaj nënvizoi se: “Natyrisht që situata e sigurisë në Evropë për shkak të luftës në Ukrainë ka ndryshuar. Fokusi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor është rritur, është fuqizuar, dhe ne si vende të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore duhet të bashkëpunojmë më mirë rreth sfidave të cilat shqetësojnë më shumë popujt tanë, siç është sfida e sigurisë, sfida e bashkëpunimit ekonomik, sfidat e lidhura me energjinë, me infrastrukturën, me agjendën e gjelbër apo me transformimin digjital.”
IMG 20230627 WA0055
Duke e konsideruar samitin si të suksesshëm, Presidenti Begaj shtoi më tej se vetëm duke qenë të bashkuar e të unifikuar, mund të përballohen sfidat e së ardhmes.
Në fund të prononcimit të tij, Presidenti Begaj përgëzoi Maqedoninë e Veriut për Kryesimin e ardhshëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.