Presidenti i Republikës së Shqipërisë

1 Qershori scaled

Lajme, Aktivitetet

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj dhe Zonja e Parë, Armanda Begaj, festojnë me fëmijët

Fëmijët e ushtarakëve në misione paqeruajtëse, fëmijët e shtëpisë së foshnjës “Hannah dhe Rozafa” në Tiranë, si dhe fëmijët e stafit të Institucionit të Presidentit u bënë bashkë për të kaluar një mëngjes festiv së bashku me Presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj dhe Zonjën e Parë, Armanda Begaj.
Aktiviteti i mbushur me momente kulturore dhe dëfryese për fëmijët, organizuar me iniciativë të Zonjës së Parë, kishte si synim të vendoste theksin te nevoja që ka çdo fëmijë për t’u rritur në një ambient mbështetës e motivues.
“Ne, prindër dhe gjyshër, kemi një detyrë, të rrisim dhe të edukojmë më të shtrenjtët tanë, duke iu falur dashuri pa kufi, duke iu dhënë mbështetjen e nevojshme dhe të duhur, duke iu dhënë kurajo me duartrokitjet tona! Na takon neve të përcaktojmë familjen ku do të rriten fëmijët tanë, shoqërinë ku do të rriten ata! E kemi detyrë t’i bëjmë ata të ndihen gjithmonë të sigurt në hapat e tyre, gjithmonë të mbrojtur”- tha në një prononcim për mediat Zonja e Parë.
Zonja Begaj vazhdoi më tej duke u shprehur: “Është detyrë e jona, e familjeve, e mësuesve, edukatorëve, institucioneve të ndryshme, t’i ushqejnë ata me dëshirën për t’u edukuar dhe shkolluar, për të qenë të lirë në mendime dhe në veprimet e tyre, për të respektuar njëri-tjetrin dhe ne të rriturit, për të dashur dhe respektuar atdheun e tyre.
Fëmijët me ngjyrat e tyre, të lyejnë tablonë e jetës me optimizëm e të sjellin shpresën edhe përballë sfidës më të vështirë!
Ata janë superheronjtë tanë.”
Aktiviteti kulmoi me një surprizë emocionuese, ku së bashku me Presidentin Begaj fëmijët e ushtarakëve në misione paqeruajtëse patën mundësinë të përshëndeteshin në një lidhje të drejtpërdrejtë me baballarët e tyre. Kreu i Shtetit falënderoi ushtarakët tanë në misione paqeruajtëse për kontributin e tyre dhe shprehu krenarinë për misionet e tyre, duke thënë se gjithçka që ata bëjnë, e bëjnë në emër të atdheut dhe të së ardhmes së fëmijëve të tyre dhe të fëmijëve të të gjithë botës.
Nuk munguan gjithashtu këndet e leximit, shfaqjet e sjella nga Teatri i Kukullave apo nga Cirku Kombëtar i Tiranës, e plot aktivitete të tjera të cilat entuziazmuan të vegjlit.