26/04/2024• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, bëri lëvizjen e parë të shahut në Kampionatin Ndërkombëtar të këtij sporti, që mblodhi në Durrës qindra talente nga e gjithë bota në moshat 8-12 vjeç.
Presidenti Begaj, i pranishëm në ceremoninë hapëse të këtij kampionati, vlerësoi se organizimi i eventeve të tilla janë përpjekje për të sjellë më shumë kulturë e më shumë përkushtim ndaj një sporti të veçantë për gjeneratën e re.
Ky konkurs, sipas Kreut të Shtetit, është një ngjarje e madhe për Shqipërinë.
Në këtë mënyrë, – deklaroi Presidenti Begaj, – vendi ynë ka mundësi të tregohet si organizator mbarëkombëtar e si mikpritës jo vetëm i samiteve dhe ministerialeve, por edhe i aktiviteteve promovuese të talenteve ndërkombëtar të sporteve.
“Fëmijët janë e ardhmja dhe është shumë e rëndësishme promovimi dhe vlerësimi i tyre”, – theksoi Presidenti i Republikës, i cili konfirmoi përkushtimin për afrimin e fëmijëve dhe të rinjve me sportin.
Një falënderim të veçantë Presidenti Begaj përcolli edhe ndaj presidentit të Federatës Shqiptare të Shahut, z. Erald Dervishi, ndaj Komitetit Olimpik Shqiptar dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
“Shqipëria ka shahistët e saj, me të cilët krenohet ndërkombëtarisht, emra të mëdhenj, si Erald Dervishi, që kryeson sot federatën e shahut, si dhe ka arritur të organizojë këtë aktivitet të jashtëzakonshëm, duke e ngritur lart emrin e Shqipërisë në arenën kombëtare e ndërkombëtare”, – u shpreh Presidenti Begaj, i cili uroi që nga ky kampionat të dalin kampionët e ardhshëm të shahut botëror.
Në Kampionatin Ndërkombëtar të Shahut morën pjesë 350 fëmijë nga e gjithë bota, 60 prej të cilëve ishin nga Shqipëria.