Mesazhi i Presidentit Begaj në iftarin e parë të muajit të shenjtë të Ramazanit të shtruar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar
Ishte kënaqësi e madhe për mua t’i bashkohesha tryezës së iftarit të parë të muajit të shenjtë të Ramazanit. Ky muaj është një mundësi, në të cilën shqiptarët e besimit mysliman afrohen me Zotin nëpërmjet agjërimit dhe veprave të mira.
Dëshiroj t’i uroj agjërim të lehtë e të pranuar të gjithë besimtarëve. Ramazani është muaji i paqes, mëshirës hyjnore dhe solidaritetit ndërnjerëzor. Është muaji i mirësisë ku dalin në pah cilësitë më të mira të njeriut si përkushtimi, toleranca, durimi dhe dashuria për Zotin e njëri-tjetrin.
Gëzuar Muajin e Bekuar të Ramazanit! Të keni paqe e begati në familjet tuaja!