Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Untitled Artwork

Fjalime

Mesazh i Presidentit të Republikës Sh. T. Z. Bajram Begaj në 16-vjetorin e Shpalljes së Kosovës Republikë

Sot është ditë e veçantë për të festuar.
17 Shkurti shënon kurorëzimin e ëndrrave të popullit shqiptar, të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Pavarësia e Republikës së Kosovës hapi një faqe të re në historinë e kombit shqiptar.
Shqiptarët do t’u jenë gjithnjë mirënjohës miqve tanë Euro-Atlantikë që na ndihmuan dhe na mbështetën në realizimin e aspiratave shekullore.
Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 shënoi kthesën vendimtare për popullin shqiptar dhe qytetarët e Kosovës.
Faleminderit atyre që iu ndodhën pranë kombit shqiptar dhe zgjodhën veprimin, jo indiferencën ndaj Kosovës.
Kjo ditë është rast shumë i mirë për të nderuar e vlerësuar të gjithë ata që kontribuuan në pavarësinë e Kosovës, që nga Presidenti largpamës dhe i paqtë i saj, z. Rugova, deri te heronjtë e UÇK-së, e veçanërisht familja e Jasharëve, e cila është shndërruar në simbolin e luftës për çlirim.
Lindja e shtetit më të ri në Evropë ishte një sfidë, por vetëm në më pak se dy dekada Kosova ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në ndërtimin e institucioneve dhe të një shoqërie demokratike dhe multietnike.
Përmes përpjekjeve, arritjeve dhe shumë vështirësive, Kosova ka sot një perspektivë zhvillimi dhe begatimi në horizont.
Sot Kosova është histori suksesi në Ballkan në respektimin e të drejtave të njeriut, me kulturën e saj të gjallë dhe energjinë rinore të një populli që sheh përpara.
Kosova, shtet i pavarur, është një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tonë.
Jemi dy shtete, por një komb me një gjuhë e një kulturë. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi të artë për të treguar se jemi të aftë të ndërtojmë shtete moderne sipas parimeve demokratike të mirëqeverisjes.
Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis dy shteteve tona janë natyrshëm strategjike, me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën tonë të përbashkët Euro-Atlantike e të të gjithë rajonit.
Bashkëpunimi duhet të theksohet në aspektin ekonomik dhe në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve tanë.
Ekonomitë e vendeve tona duhet të jenë komplementare teksa shfrytëzojnë avantazhet krahasuese për të qenë më konkurrentë në rajon e më gjerë.
Natyrisht, në kontekstin e një situate sigurie të përkeqësuar në botë, prioritet duhet të marrë bashkëpunimi në fushën e sigurisë.
Sulmi terrorist kundër policisë së Kosovës në Banjskë, i pak muajve më parë, tregon se sa e brishtë është paqja dhe siguria në rajon.
Bashkëpunimi dhe koordinimi sa më i ngushtë me aleatët tanë strategjikë, SHBA-në dhe BE-në, është thelbësor.
Po me kaq rëndësi është edhe dialogu midis Kosovës dhe Serbisë.
I ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara, vazhdimi i dialogut është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve, si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.
Dëshiroj t’ju siguroj se Shqipëria do të vijojë e vendosur angazhimin për të mbështetur Kosovën.
Ne do të vijojmë të punojmë për njohje të vazhdueshme ndërkombëtare dhe bashkërish të promovojmë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të mbështesim aspiratat e popullit shqiptar për një të ardhme më të begatë.

Gëzuar, Kosovë!