Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 4080

Fjalime

Fjala përshëndetëse e Presidentit Begaj në aktivitetin përkujtimor për nder të Marsel Skëndos

Të nderuar të pranishëm,

Zoti President i Klubit Rotary të Tiranës,

Zonja dhe zotërinj,

Është një nder i vecantë të jem i pranishëm në këtë aktivitet të organizuar nga Klubi Rotary i Tiranës.

E vecantë sepse ju jeni pjesë e një bashkësie ndërkombëtare, e cila për më shumë se një shekull ka kontribuar në shëndetësi, shkollim, komunitete lokale dhe sipërmarrje anembanë botës dhe në vendin tonë.

Vlerat ku bazoheni si diversiteti, barazia dhe gjithëpërfshirja, kanë qenë në themel të veprimtarisë tuaj edhe në Shqipëri. Një veprimtari e shumëllojshme dhe e rëndësishme. Por, besoj do të kishte qenë më pak e realizuar pa kontributin e një njeriu të vecantë si Marsel Skëndo.

Një hero i heshtur, për të cilin mbase librat e historisë nuk do të shkruajnë. Por njerëzit do të flasin. Sepse kujtimi i tij, jam i sigurt që nuk do të harrohet.

Marseli ishte jo vetëm një rotarian me zemër të madhe, por edhe dikush që mishëronte vlerat më të mira të shqiptarit.

Aftësia e jashtëzakonshme për sipërmarrje, puna e palodhur, guximi dhe besimi te një vizion largpamës, e bënë Marsel Skëndon një nga biznesmenët më të suksesshëm.

Por mbi të gjitha ai ishte një humanist. Një njeri me shpirt fisnik, i cili suksesin në biznes nuk e la t’i errësonte vlerat. Shembull i përkryer se si pushteti ekonomik mbart me vete përgjegjësi të madhe sociale që nuk duhet shpërdorur.

Megjithë suksesin e madh, Marsel Skëndo nuk reshti të ndihmonte dhe suportonte sipërmarrjet shqiptare. Si investitor dhe promotor i tyre ai bëri që shumë të rinj e të reja të realizonin me sukses projektet e tyre të biznesit.

I pagabueshëm për nga nuhatja sipërmarrëse, i rrallë për nga thjeshtësia, i papërsëritshëm për nga kontributi që dha në ekonomi, Marseli ishte edhe ithtar i medias së lirë. Ai ndihmoi në krijimin e disa prej ikonave të para të medias në Shqipërinë post-komuniste, duke krijuar kushtet për liri profesionale të gazetarëve.

Ndaj le ta kujtojmë dhe mos ta harrojmë veprën e një rotariani dhe shqiptari të mirë. Sepse kemi nevojë për shembuj pozitivë, që na bëjnë të ndihemi krenar dhe të frymëzojë edhe brezat e ardhshëm.

Ju falemnderit!