Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 8970

Fjalime

FJALA PËRSHËNDETËSE E PRESIDENTIT BEGAJ ME RASTIN E 5-VJETORIT TË RIJETËSIMIT TË RRËNOJAVE TË KALASË SË TIRANËS

Mirëmbrëma të gjithëve!

5 vjet më parë rrallëkush do ta kishte imagjinuar se rrënojat e kalasë së Tiranës, do mund të shëndërroheshin në një magnet turistik të kryeqytetit.

Nga një monument historik që po rrënohej dita-ditës, sot me shumë bujari dhe me shumë mençuri pasardhësit e saj e shndërruan atë  në strehën turistike  më të dashur në Tiranë, një ndërmarrje e jashtëzakonshme bazuar në një vizion të qartë, që të arrihej ky ansambël arkitekturor që shohim sot.

Kalaja e Tiranës u krijua nga një nga familjet më të mëdha të saj, familja Toptani.

Ajo është  sot, një element i identitetit të Tiranës  po aq sa një element identifikues i saj.

Kalaja e Tiranës si dëshmi e pasur arkeologjike është tregues i një urbanizimi të hershëm inxhinierik, financiar, social, kulturor të një qyteti që ka jetuar gjithë dimensionet historike dhe ka qëndruar me vepra përballë çdo sfide.

Rijetësimi i saj dhe i një sërë monumentesh të tjera, si për shembull, mozaiku i Tiranës, ish-piramida – sot ”Qendra Tumo” për teknologji dhe inovacion, xhamia e Ethem Beut, Galeria Kombëtare e Artit e  të tjera si këto, tregojnë se Tirana i ka të gjitha mundësitë të përqafojë modernen teksa nuk harron historinë. Monumente si ky ruajnë lidhjen tonë me historinë, duke na orientuar më mirë për të ardhmen.

Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për punën e shkëlqyer të gjithë atyre që kontribuan që kjo kala të kthehet nga monument lufte, në monument paqeje që mirëpret mijëra turistë nga brenda dhe jashtë vendit.

Çdo shqiptar që vjen nga afër a larg, çdo turist i huaj gjen në të karakteristika të arkitekturës së Tiranës së vjetër dhe për nga ngrohtësia dhe mikpritja cilësitë shqiptare, të bujarisë e mikpritjes.

Përtej identitetit, nostalgjisë e krenarisë së autoktonëve, Kalaja e Tiranës është një vendtakim i bukur.

Është  risi po aq sa  shembull se historia në mesin tonë qëndron plot dritë .

Është treguese sesa e vlefshme është ndërthurja e antikes me të renë.

Është vlerësuese dhe frymëzuse sesa patriotik e bën një objekt të trashëgimisë kulturore dashuria, vizioni dhe pasioni njerëzor.

Shumë urime!