Presidenti i Republikës së Shqipërisë

5d9cb9d1 afc2 4e0a 9587 1db0f7a49cbb

Fjalime

FJALA E PRESIDENTIT BEGAJ ME RASTIN E SHPALLJES SË TIRANËS KRYEQYTET I SHQIPËRISË

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Të dashur miq,

Mirë se erdhët në këtë ceremoni modeste për të festuar bashkë 104-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet i Shqipërisë.

Dëshiroj ta nis me një falënderim të veçantë për përfaqësuesit e disa prej familjeve autoktone të Tiranës, të cilët janë gurët e themelit të një kryeqyteti sa tradicional, aq edhe modern.

Tirana nuk mund të kuptohet pa folur për banorët e saj zemërgjerë. Ndër vite, “tironsit”, me ngrohtësinë, bujarinë dhe dashamirësinë karakteristike, mirëpritën pa asnjë kompleks vëllezërit shqiptarë nga troje të ndryshme.

Tirana ishte që në fillimet e saj mishërim i vlerave më të mira shqiptare, i tolerancës dhe mirëkuptimit, i bashkëpunimit dhe respektit ndaj tjetrit.

Në Tiranë gjendet e gdhendur një pjesë e historisë së popullit tonë. Kryeqyteti është transformuar ndër vite nga një nyje që lidhte rrugët kryesore të trevave tona, në qendrën kryesore politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të shqiptarisë. Tirana është një histori suksesi.

Historia e qytetit është pa dyshim historia e mrekullueshme e banorëve të Tiranës. Secila gjeneratë la gjurmët e saj në histori, arkitekturë, urbanistikë dhe, mbi të gjitha, në frymën e saj patriotike, atdhetare dhe pro perëndimore. Tirana dhe qytetaret e saj i kanë paraprirë progresit, duke e kthyer atë në kryeqendrën e shqiptarëve kudo ata ndodhen.

Tirana sot është një qytet i gjallëruar, që jeton me ritme të përshpejtuara. Ajo ruan fort traditën e mirëseardhjes, të mirëkuptimit dhe mundësisë për një jetë të mirë.

Është detyra jonë të vijojmë të ruajmë traditat dhe të kontribuojmë në pasurimin e jetës së kryeqytetit më shumëngjyrësh të rajonit tonë, të Tiranës që nuk njeh moshë, të Tiranës sonë të përbashkët,

Ju faleminderit!