24/11/2022• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, pranoi sot Letrat Kredenciale nga Ambasadorja e re e Republikës Helenike, znj. Konstantina Kamitsi.
Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet strategjike midis dy vendeve dhe nënvizoi interesin dhe vullnetin e palës shqiptare për t’i zgjeruar dhe thelluar më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Duke iu referuar procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, Presidenti Begaj nënvizoi se mbështetja e Greqisë ka qenë domethënëse, veçanërisht gjatë presidencave greke të BE-së në vitin 2003 dhe 2014, me ndikim për procesin e zgjerimit si për Shqipërinë ashtu dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor në tërësi.
Presidenti Begaj e konsideroi minoritetin grek në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar në Greqi si ura të forta miqësie e bashkëpunimi midis dy vendeve e dy popujve.
Duke iu referuar çështjeve të hapura midis dy vendeve, Presidenti Begaj, vlerësoi vullnetin dhe angazhimin serioz të palëve për adresimin e tyre në frymë partneriteti, mirëbesimi dhe respekti të ndërjsellë.