Presidenti i Republikës së Shqipërisë

kredenciala amb BE

Lajme

Ambasadorja e re e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sh. S. Znj. Christiane Hohmann, i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit Begaj

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj pranoi sot Letrat Kredenciale nga Ambasadorja e re e Delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, Sh. S. Znj. Christiane Hohmann.

kredenciala amb BE 3Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri dhe e siguroi për mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen politike dhe asistencën financiare, që BE i ka dhënë Shqipërisë në tre dekadat e fundit. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për asistencën financiare, të dhënë për përballimin e dëmeve të mëdha nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, si dhe për përballimin e lehtësimin e situatës gjatë pandemisë së Covid 19.

Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu besimin se, ardhja e zonjës Hohmann në Tiranë do t’i japë një shtytje të re marrëdhënieve të Shqipërisë me institucionet e Bashkimit Evropian, si dhe vetë procesit të negociatave të aderimit në BE.

kredenciala amb BE 2Presidenti Begaj nënvizoi ndër të tjera dhe vullnetin politik të institucioneve shqiptare për të përparuar në rrugën e reformave, duke theksuar se integrimi evropian mbetet projekti dhe prioriteti më madhor i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“I ndërgjegjshëm për sfidat dhe vështirësitë që vetë BE-ja e Vendet Anëtare të saj po kalojnë, pas agresionit rus në Ukrainë, shpreh besimin se vëmendja e Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor do të jetë edhe më e madhe, duke e konsideruar procesin e zgjerimit si instrumentin më të mirë gjeopolitik për adresimin e kërcënimeve ndaj paqes dhe sigurisë së rajonit dhe të kontinentit në tërësi,” – nënvizoi Presidenti Begaj.