02/03/2024• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e kremtimit të 580-vjetorit të “Besëlidhjes së Lezhës”. Bashkimi i fisnikëve të principatave më 2 mars të vitit 1444 në Lezhë është për shqiptarët një akt unifikues me vizon evropian.
Presidenti i Republikës e cilësoi Besëlidhjen Arbërore, me në krye Skënderbeun, si dëshmi të unitetit, guximit për liri e pavarësi, një shembull të qëndresës, si dhe ftesë për përkushtimin ndaj kombit shqiptar.
Duke iu referuar, “Besëlidhjes së Lezhës”, qëndresës së përbashkët kundër çdo agresioni dhe rolit të shqiptarëve përgjatë historisë e deri në ditët e sotme, Presidenti i Republikës theksoi faktin se faktori shqiptar vijon të luajë rol thelbësor në paqen dhe orientimin perëndimor të Ballkanit:
“Në kushtet e sotme gjeopolitike, ku sfidat dhe kërcënimet ndaj sovranitetit të popujve, përfshi atyre të Ballkanit, dhe integritetit territorial evropian, janë aktuale, veçanërisht për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, Besëlidhja e Lezhës e roli i historik i shqiptarëve marrin një rëndësi të veçantë. Ato na kujtojnë se bashkimi dhe solidariteti janë thelbësorë për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta dhe të lirisë. Ato na mësojnë se përballë sfidave, nuk mund të qëndrojmë të ndarë, por vetëm të bashkuar”.
Ndërsa nderoi prijësit që arritën aleancën politike e ushtarake 580 vjet më parë, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me NATO-n dhe vijimit me bindje të rrugëtimit drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
“Padyshim që duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat shqiptarët përballen brenda vendit e kudo në rajon, por le të mos harrojmë se një ditë si kjo e sotmja provon aftësinë tonë për të adresuar çdo sfidë. Me orientimin tonë të palëkundur evropian, le të vijojmë të ndërtojmë mbi themelet e shëndosha të vendosura 580 vjet me parë, duke qenë gjithmonë të gatshëm të përqafojmë ndryshimet demokratike”,– deklaroi kreu i shtetit.
Duke ju drejtuar arbëreshëve pjesëmarrës në ceremoninë festive, Presidenti i Republikës vlerësoi kontributin e këtij komuniteti për ruajtjen e identitetit. Ata janë dëshmi e gjallë e bashkimit dhe forcës së identitetit shqiptar, që mbijeton pavarësisht kufijve dhe kohës, – u shpreh Presidenti Begaj: “Akti i Besëlidhjes dhe shembulli i arbëreshëve na kujtojnë se bashkimi është forca që çdo ëndërr për liri dhe prosperitet e bën të mundur dhe të pashmangshme”.
Kreu i shtetit shprehu mirënjohje dhe nderim për sakrificat e gjithë shqiptarëve që, siç u shpreh, “u angazhuan për atdheun që ne gëzojmë sot e të ecim në rrugën që ata çelën: rrugën e lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit mbarëkombëtar”.