25 vjetori i krijimit të Batalionit të Forcave Speciale. Begaj: I dhatë dinjitet Shqipërisë në NATO!
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e kremtimit të 25-vjetorit të krijimit të Batalionit të Forcave Speciale. Presidenti vleresoi kontributin e dhënë ndër vite nga efektivët e njësisë elitë e Forcave të Armatosura.
“Krijimi i kësaj strukture 25 vjet më parë erdhi jo vetëm si domosdoshmëri e kohës por edhe si rrjedhojë e natyrshme e vizionit tonë euro-atlantik. Batalioni juaj ishte përpjekja jonë e parë për t’u bërë asokohe pjesë e aleancës më e suksesshme ushtarake në botë.”
Në cilësinë e Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë Presidenti Begaj shprehu mirënjohje ndaj këtij batalioni për përfshirjen në misione dhe operacione nga ato luftarake paqeriajtëse deri tek ato humanitare. Efektivat e këtij batalioni kanë shërbyer me sukses në Afganistan, Irak, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, duke i dhënë Shqipërisë dinjitet si anëtare e NATO-s.
“Natyrisht, përpjekjet tona do të ishin pa vlerë nëse ju nuk do të tregonit këmbëngulje, përkushtim, profesionalizëm dhe atdhedashuri në misionet tuaja të vështira. Kudo ku keni shërbyer jashtë vendit, në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Irak dhe Afganistan, apo brenda vendit në ndihmë të popullsisë gjatë emergjencave civile, ju e keni lartësuar emrin e Shqipërisë si anëtare e denjë e NATO-s dhe emrat tuaj si profesionistë në vijën e parë të sigurisë”
Presidenti falenderoi partnerët strategjikë për modernizimin e Batalionit të Forcave Speciale, ndërsa theksoi se trajtimi për efektivët do jetë në qendër të vëmendjes për të garantuar një strukurë të aftë, profesioniste të ndërveprueshme me aleatët dhe të përkushtuar ndaj detyrës dhe atdheut.
Duke iu referuar zhvillimeve më të fundme në fushën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, Presidenti u shpreh se pasojat e këtyre konflikteve mbartin potencialin e përhapjes edhe në rajone të tjera. Kreu i shtetit vlerësoi kontributin që NATO jep nëpërmjet misionit KFOR për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në rajon.
“Ne do të vijojmë të ndërtojmë marrëdhënie multilaterale, të zhvillojmë partneritete strategjike brenda kornizës euro-atlantike dhe të ruajmë sovranitetin tonë, duke promovuar paqe dhe harmoni. Roli dhe kontributi i forcave të armatosura në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Prandaj investimi te ju, është investim direkt te siguria e vendit, tek e ardhmja jonë e përbashkët”.
Presidenti Begaj përforcoi qëndrimin se Shqipëria mbetet kontributor i paqes dhe sigurisë në rajon me orientim të pakontestuar në linjëzimin euro-atlantik.