10/05/2023• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë dedikuar 110-vjetorit të themelimit të Gjykatës së Lartë.
Në fjalën e tij Presidenti Begaj u shpreh: “Sot është një ditë e shenjtë për drejtësinë shqiptare, Dita Kombëtare e Drejtësisë. Në këto 110 vite historia jonë politike ka pasur një rrugëtim jo të lehtë, rrugëtim në të cilin ka kaluar edhe sistemi i drejtësisë në kërkim të arritjes së një sistemi drejtësie të pavarur, të vendosjes së barazisë para ligjit, të një sistemi efiçent e transparent, në interes të shoqërisë e në mbrojtje të vlerave demokratike.”
Kontributi i secilit prej nesh këtu prezent, aktorë vendas e ndërkombëtarë është thelbësor për ndërtimin e një kulture juridike me standarde profesionale dhe etikë të lartë që përcjell besimin e nevojshëm kundrejt atyre që presin drejtësi”- tha më tej Presidenti.
Kreu i Shtetit u shpreh besimplotë se reforma në drejtësi e cila nisi në vitin 2014 dhe që kulmoi në miratimin e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2016, nuk ka qenë e lehtë sepse ngritja dhe realizimi i saj përfshirë sfidat dhe pengesat kanë sjellë vonesa përtej parashikimeve kushtetuese dhe ligjore, madje përtej parashikimeve të hartuesve të reformës.
Në përfundim, Presidenti Begaj cilësoi: “Si President dhe si qytetar i këtij vendi kërkoj të garantohet aksesi në drejtësi që lidhet ngushtësisht me hartën e re gjyqësore dhe pavarësia e sistemit e cila është arsyeja e reformës në drejtësi. Cilësia në drejtësi është dhe duhet jetë kriteri matës për të përcaktuar punën e të gjithë aktorëve të përfshirë. Uroj gjithashtu që institucionet që ju përfaqësoni të jenë një shembull suksesi duke dëshmuar çdo ditë profesionalizëm, integritet dhe paanshmëri.”