Presidenti i Republikës së Shqipërisë

zonja e pare shkoder2 1

Lajme

Zonja e Parë, Armanda Begaj vizitoi Shtëpinë e Fëmijës dhe Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër

Zonja e Parë, Armanda Begaj u angazhua në disa aktivitete sociale dhe kulturore në Shkodër, gjatë vizitës së parë të Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj në këtë qytet, më 5 tetor.

zonja e pare shkoderNë kuadrin e “Tetorit Rozë”, një nismë ndërgjegjësuese dhe solidariteti ndaj kancerit të gjirit, znj. Begaj vizitoi Poliklinikën e Specialiteteve “Bahri Kopliku” të qytetit të Shkodrës.

Nisur nga prania e shtuar e grave dhe vajzave që ishin në pritje të kryenin ekzaminimin e mamografisë, në kuadër të parandalimit të kësaj sëmundje, ajo u theksoi atyre rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm për kontrollet mjekësore, duke vënë në dukje se “përmes depistimit dhe zbulimit të hershëm, mund të fitohet beteja me këtë armik të jetës”.

Gjatë bisedës me drejtues të kësaj poliklinike, mjekë dhe infermierë, të angazhuar në shërbim të pacientëve, ata e informuan zonjën Begaj për numër të shtuar mamografish, rreth 50 të tilla në ditë.

Mbështetja psikologjike për gratë që po përballen me këtë sfidë, por edhe familjet e tyre, është një tjetër çështje me rëndësi e sjellë në vëmendje nga Zonja e Parë, e cila inkurajoi edhe stafin e Poliklinikës të fokusohet edhe në këtë aspekt.

Zonja e Parë vizitoi gjithashtu Shtëpinë e Fëmijës, 6 deri 15 vjeç, në Shkodër, ku u takua me fëmijët, edukatoret, punonjësit socialë, si dhe drejtuesit e këtij institucioni.

“Takimin me ju sot e kam shumë përzemër. Ju jetoni në një familje të madhe, që kërkon më shumë mirëkuptim, përkujdesje dhe dashuri për njëri-tjetrin. Mësoni mirë në shkollë sot për jetën tuaj nesër”, – u shpreh znj. Begaj.

Zonja e Parë vuri në dukje rolin e pazëvendësueshëm që ka stafi i këtij institucioni publik për krijimin e atmosferës familjare, duke dhënë një kontribut të qënësishëm për edukimin dhe formimin e personalitetit të fëmijëve.

Ajo u informua nga drejtuesja e Shtëpisë së Fëmijës rreth organizimit të një takimi me drejtues e mësues të shkollave profesionale në Shkodër dhe fëmijët e rritur, për t’u dhënë atyre informacionin e nevojshëm për të ardhmen e tyre.

zonja e pare shkoder3Pjesë e axhendës sociale, zhvilluar paralelisht me vizitën e Presidentit Begaj, ishte edhe vizita e saj në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër.

Gjatë një bisede miqësore me të moshuarit, drejtuesin dhe stafin e kësaj shtëpie, ajo u ndal në nevojën për më shumë vëmendje e përkujdesje nga e gjithë shoqëria ndaj tyre në tërësi dhe jo vetëm brenda qendrës.

Ajo shprehu mirënjohjen për personelin që u shërben dhe i inkurajoi ata për të bërë më të mirën në punën e tyre. “Është shumë e rëndësishme që pavarësisht punës që kemi në jetë apo që kemi patur dikur, të mos harrojmë asnjëherë se në radhë të parë duhet të jemi njerëz”, – theksoi ajo.

zonja e pare shkoder4Në përfundim të vizitës në qytetin e Shkodrës, Presidenti i Republikës dhe Zonja e Parë vizituan Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, ku ruhet dhe është ekspozuar një pasuri e rrallë e arkivës fotografike të qytetit.