03/05/2023• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bajram Begaj në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit adreson mesazhin e tij në një takim me gazetarë të rinj.
Në Ditën Botërore për Lirinë e Shtypit, Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj, zgjodhi të adresojë mesazhin e tij mbi lirinë e shtypit në Shqipëri gjatë takimit me një grup gazetarësh të rinj.
Në këtë takim Presidenti theksoi rëndësinë që ka media në një shoqëri demokratike si formëzuese e opinionit publik, rolin e saj të pazëvendësueshëm në informimin e saktë të shoqërisë, si dhe misionin e saj për të shprehur të vërtetat në mënyrë të paanshme e transparente.
Presidenti i Republikës vlerësoi se kjo ditë është një apel për akorët mediatikë, gazetarët dhe botuesit për të luajtur rolin e tyre në një shoqëri demokratike dhe se Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është dita kur shoqëria duhet t’i shprehë mbështetjen gazetarëve në përpjekjet e tyre për të arritur lirinë e shtypit.
Gjithashtu nënvizoi se është dita që fton për solidarizim gazetarët që kanë hasur në punën e tyre kërcënime, sulme apo shantazhe për hir të qëndrimit të tyre profesional në mbrojtje të së vërtetës.
Presidenti ritheksoi qëndrimin e tij të palëkundur në mbrojtje te vlerave të demokracisë dhe të komponentit të saj të rëndësishëm të medias dhe të punonjësve të saj, duke u shprehur:
“Sikundër kam reaguar për çdo rast, përsëris bindjen dhe qëndrimin tim se asnjë gazetar nuk duhet të ndihet i kërcënuar për jetën e për vendin e tij të punës për shkak të përdorimit të lirisë së tij kushtetuese për të thënë haptazi të vërtetat në publik.
Asnjë media nuk duhet të ndihet nën presionin e censurës qoftë ajo paraprake, e drejtpërdrejtë apo e nënkuptuar, nëse duam të arrijmë standardet e vendeve demokratike. Liria e shtypit dhe e medias duhet të jetë standard i respektuar dhe i gjithëpranuar prej nesh si tregues i emancipimit shoqëror dhe gur themeli i kulturës shtetbërëse demokratike.”
Presidenti iu përgjigj pyetjeve të tyre mbi realitetin mediatik, lirinë e shtypit, censurën dhe vetëcensurën, si dhe për organizimet e munguara sindikale të punonjësve të medias.
Më tej shprehu besimin se ata si gazetarë të rinj e të mirëformuar do të kontribuojnë me profesionalizmin e tyre në përmirësimin cilësor të medias.