Pyetjet dhe përgjigjet e Presidentit Begaj gjatë konferencës për shtyp me Presidenten e Republikës së Kosovës
Pyetja nr. 1: Procesi i njohjes së Kosovës është ngadalësuar duke u shoqëruar pak edhe me agresivitetin e Serbisë, por edhe vetë në përplasje që Qeveria e Kosovës ka pasur kohët e fundit me aleatët kombëtarë. Pyetja ime është, si po e ndihmon Shqipëria të njihet ndërkombtarisht edhe më shumë?
Presidenti Begaj: Atëherë, siç e përmenda edhe më herët, Kosova është prioriteti ynë kombëtar. Natyrisht që në të gjitha takimet e mia si Kryetar Shteti me homologët e mi, me çdo organizatë rajonale apo ndërkombëtare apo në NATO, kam shprehur dhe kam kërkuar gjithmonë njohjen e Republikës së Kosovës. Kam artikuluar gjithmonë nevojën për mbështetjen që ka Republika e Kosovës dhe kjo kërkesë e imja nuk është vetëm domosdoshmëri për Kosovën, por është domosdoshmëri për të gjithë rajonin, për shkak se faktori shqiptar në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është një faktor kontribues i paqes, sigurisë dhe stabilitetit, i zhvillimit të qëndrueshëm dhe i frymës dhe i rrugëtimit tonë të përbashkët euroatlantik. Natyrisht që e kemi për detyrë ta mbështesim Kosovën dhe të kërkojmë njohje të reja të saj.
Këtë e kemi bërë shumë mirë edhe gjatë këtij mandati dyvjeçar që ne kemi në Kombet e Bashkuara si një vend jopermanent, si anëtar jopermanent në Këshillin e Sigurimit, dhe atje Shqipëria ka kërkuar njohje të reja dhe mbështetjen e Republikës së Kosovës.
Edhe gjatë vizitës që unë do të bëj gjatë muajit shtator, gjatë këtij muaji, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të kërkoj takime bilaterale për mundësinë e avancimit të njohjeve të reja të Kosovës.
Faleminderit!
Pyetja nr. 2: Gjatë një interviste, Kryeministri Rama ka deklaruar se Presidenti duhet të japë një autorizim për ringritjen e një grupi negociator për çështjen e detit me Greqinë. Çfarë komunikimesh keni pasur ju me zotin Rama për këtë çështje dhe kur do e jepni ju autorizimin për ngritjen e këtij grupi negociator?
Presidenti Begaj: Faleminderit për pyetjen, megjithëse nuk është e lidhur shumë me vizitën e Presidentes Osmani, por gjithsesi çështje e Shqipërisë është çështje dhe e Kosovës.
Po sqaroj shkurtimisht se lëshimi i autorizimit të Presidentit të Republikës për çdo negociatë apo marrëveshje ndërkombëtare është detyrim ligjor dhe për sa i përket autorizimit të çështjes në fjalë, ky autorizim duhet të përmbushë disa kritere paraprake, kushtetuese dhe ligjore, të cilat duhet të jenë të kornizuara sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, vendimit të Gjykatës Kushtetuese numër 15.
Aktualisht e kam dhënë përgjigjen edhe më parë që jemi në fazën e shqyrtimit të këtij relacioni për të bërë të mundur që autorizimi qe do lëshohet do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, duhet të jetë në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me ligjet shqiptare dhe me ligjet ndërkombëtare.
Patjetër që sapo ky autorizim të firmoset do të bëhet me dije edhe për publikun.
Faleminderit!
Pyetja nr. 3: Pyetja ime do bëhet drejtuar Presidentit të Shqipërisë Bajram Begaj dhe ka të bëjë për kapacitetin potencial që mund ta përdorë shteti juaj që të ndihmojë Kosovën në anëtarësimin në organizma ndërkombëtarë, pavarësisht që e përmendët edhe më parë. Po ashtu edhe në fjalimin tuaj e përmendët që Kosova duhet të ketë marrëdhënie më të mira me faktorin ndërkombëtar. Duam të dimë nëse ju keni dhënë sugjerime për mënyrën se si të rikthehen ato relacione të mira ndërmjet Kosovës dhe faktorëve ndërkombëtarë?
Presidenti Begaj: Faleminderit për pyetjen. Unë e thashë edhe pak më parë.
Në çdo takim timin ndërkombëtar kam shprehur bindjen se mbështetja e Kosovës është detyrimi im kushtetues, jo si shqiptar, por edhe si President i Shqipërisë në Kushtetutë, në preambul është e shkruar që ne do të mbështesim çështjen e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë dhe punojnë.
Patjetër që anëtarësimi i Kosovës në organizma ndërkombëtarë nuk është, e biseduam edhe me Presidenten, nuk është çështje thjesht e një posti, e një karrigeje, një funksioni politik që do të marrë një zyrtar i Kosovës, por është çështje e lidhur me interesa të drejtpërdrejta të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të drejta të cilat janë universale, të drejta të cilat ne i mbrojmë në Kombet e Bashkuara, psh anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, nuk do të thotë se dikush nga Ministria e Shëndetësisë apo zyrtar i shëndetësisë do të ketë një post atje dhe vetëm kaq, por është përfitimi direkt i qytetarëve të Republikës së Kosovës për politikat e zhvillimit të qëndrueshëm në shëndetësi, që kanë të bëjnë më vaksinimin, me trajtimin e sëmundjeve të tjera, kështu që organizmat ndërkombëtarë dhe anëtarësimi i Kosovës në të është i nevojshëm.
Është i nevojshëm për qytetarët e Kosovës. Natyrisht këtu kërkohet edhe bashkërendim dhe koordinim mjaft i mirë institucional jo vetëm midis nesh si vëllezër e motra të një kombi, por edhe me faktorin ndërkombëtar.
Nuk duhet të harrojmë atë çka ka bërë faktori ndërkombëtar për Kosovën dhe patjetër që ata duhet të dëgjohen. Patjetër që ne duhet të koordinohemi me ta për të filluar procesin e aplikimit dhe unë jam i sigurt që nëse do koordinohemi bashkërisht si dy shtete dhe me faktorin ndërkombëtar, jam i sigurt që Kosova do të fillojë të ketë njohje dhe anëtarësime të reja në organizmat ndërkombëtarë.
Faleminderit!
Pyetja nr. 4: Nëse i referohemi raporteve ndërmjet të dy qeverive, atëherë mund të themi që lëndim raportesh ka pasur prej kohësh kur Rama insistonte për Ballkanin e Hapur dhe a mund të llogarisim që është problematike për juve si President, edhe në këtë rast edhe zonjën Osmani që çoni përpara unifikimin e politikave për shkak të mospajtueshmërive që ka ndërmjet dy Kryeministrave?
Presidenti Begaj: E ceka pak më parë te deklarata për shtyp që askush nuk mund të mërzitet pse ne mbështesim Kosovën. Është detyrim, është detyrim kombëtar dhe është detyrim kombëtar i çdo shtetari, i çdo shqiptari që të mbështesi Kosovën.
Nuk kanë rëndësi mosmarrëveshjet e momentit. Vizita e Presidentes Osmani sot në Shqipëri tregon që ne jemi bashkë për çështje të rëndësishme të interesit ndërshtetëror, por gjithashtu jemi bashkë për të përçuar atë që si komb kemi frymën evropiane dhe euroatlantiste.
Rrugëtimi ynë është me një kah, ky rrugëtim është i sigurt, është i ndryshëm nga Serbia. Nuk mund të vazhdojmë më të mendojmë që jemi në Lindje, ne do vazhdojmë të jemi një në rrugëtimin tonë drejt Perëndimit.
Kështu që nuk mendoj se ka vend për t’u shqetësuar. Absolutisht ka vend për të përmirësuar këtë koordinim ndërinstitucional që ne të jemi njëzë, që zëri i Kosovës të dëgjohet, të dëgjohet në çdo forum, në çdo organizëm dhe jam i sigurt që këtë do ta bëjnë Kryeministrat, do ta bëjnë Ministrat, do ta bëjnë Presidentët, do ta bëjë çdo shqiptar kudo ku ai jeton e punon.
Pyetja nr. 5: U përmend rëndësia e koordinimit me partnerët kombëtarë. Më intereson ta di mendimin tuaj si e vlerësoni qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës? Pra, ka një zotim nga Qeveria e Kosovës për këtë deeskalim të situatës në veri. Është larguar një përqindje e madhe e pjesëtarëve të policisë nga veriu. Gjithashtu ka dhe zotim për zgjedhje të reja, që tani janë duke u punuar, pra, me procedura ligjore, që të vijë edhe te mbajtja e zgjedhjeve ne komunat veriore. Por si e vlerësoni pra, a ka besoni që ka trysni të madhe ndaj Qeverisë së Kosovës nga Bashkimi Evropian, më shumë sesa ndaj Serbisë, duke marrë parasysh që u përmend edhe sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, i cili tashmë është i pacenueshëm?
Presidenti Begaj: Faleminderit për pyetjen. Në fakt integriteti dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës unë nuk e di që është vënë në diskutim asnjëherë nga askush.
Padyshim që ka disa kërkesa nga ana e komunitetit ndërkombëtar për deeskalimin e situatës në veriun e Kosvës. Ngjarjet kanë qenë shumë shqetësuese, ashtu sikur e përmendi edhe Presidentja Osmani.
Janë ndjekur me mjaft interes edhe nga jonë. Unë jam i parimit që ne nuk duhet të biem pre e provokimeve dhe të punojmë pastaj për teorinë e çtensionimit të situatës kur tensionohet.
Ne kemi si komb, si dy shtete, kemi prioritetet tona. Këto prioritete nuk duhet të tensionohen nga askush dhe prioritet i panegociueshëm për mua është që ne duhet të punojmë rreth marrëveshjes së dakordësuar publikisht në Bruksel dhe aneksve të Ohrit, e cila çon në normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, të Kosovës dhe Serbisë dhe padyshim pastaj çon në njohjen e ndërsjellë dhe në respektimin e prioriteteve sipas Kushtetutës së Kosovës.
Unë nuk mendoj që ka pasur deklaratë më të mirë sesa deklarat e bërë nga Alicia Kërn, e Mbretërisë së Bashkuar, e cila e tha shumë mirë që duhet që ne të mbështesim parimin e barazisë në këtë konflikt që ka ndodhur në pjesën e veriut të Kosovës dhe jo vetëm ta anatemojmë Kosovën sikur është ajo problemi. Problemi është tek perceptimi.
Perceptimi ndërkombëtar është që është faji jonë, i Kosovës. Duhet që ky perceptim duhet të ndryshojë dhe duhet ta ndryshojmë sepse ne realisht e dimë se kush i shkakton problemet, kush është ai që provokon, por duhet te jemi në këto situata të vështira, në këto situata duhet të bëjmë zgjidhje të mençura, duhet të dimë sesi duhet të dalim nga situata dhe të kemi parasysh që interesi ynë më madhor është sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, që askush nuk e vë në dyshim dhe natyrisht këtu hyn mbështetja ndërkombëtare. Pa mbështetjen ndërkombëtare, pa mbështetjen e atyre të cilëve ishin ata që mundësuan këtë realitet, ne nuk mund të themi sot që nuk i duam.