30/05/2023• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj i dha titullin “Naim Frashëri” skenografit të mirënjohur Italian Gaetano Castelli, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit unik në Shqipëri duke materializuar në skena të ndryshme magjinë e tij të skenografisë. Në shenjë mirënjohjeje ikonës së skenografisë së televizionit italian për promovimin e artit shqiptar, si dhe për kontributin e tij të vyer në inkurajimin e të rinjve që aspirojnë artin e skenografisë, pikturës dhe të arkitekturës”.
Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, Presidenti Begaj vlerësoi figurën Castellit, duke thënë se “Shumë përpara se z. Castelli të vinte në Shqipëri, të bashkëpunonte për Festivalin “Kënga Magjike”, ne i njihnim skenat e krijuara prej tij. Sa herë shihnim Sanremon, nuk emocionoheshim vetëm me këngët. Magjia fillonte që përpara se të niste muzika; fillonte kur përballeshim me skenën, që gjithmonë ishte një vepër arti më vete, e që shumë shpesh, mbante firmën e zotit Castelli,” – tha Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit nënvizoi kontributin e zotit Castelli në skenografinë e shumë emisioneve të televizionit Italian që kanë bërë epokë edhe për publikun shqiptar, apo edhe realizimin e teatrove në të gjithë botën, që nga Las Vegas e Parisi, deri në Kairo. “Kur Ardit Gjebrea dhe televizioni Klan i tha publikut shqiptar, se tashmë do të bashkëpunonte me z. Castelli, nuk mund të kishte veç duartrokitje nga ana e të gjithë artdashësve, që ky mjeshtër i përmasava botërore, do të krijonte skenat e ëndrrave, edhe për publikun shqiptar,” – tha më tej Presidenti Begaj.
Presidenti e mbylli fjalën e tij duke shprehur mirënjohjen për punën e z. Castelli, për pasionin dhe shembullin e jashtëzakonshëm që ai përcjell edhe tek bashkëpunëtorët e tij, si dhe për gatishmërinë që ka treguar në vite për të ndihmuar edhe të rinjtë shqiptarë, të marrin sadopak nga mjeshtria e tij.