15/05/2023• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” gazetarin e mirënjohur Sokol Balla, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin profesional të shënuar prej disa dekadash si gazetar i shquar në median e shkruar dhe atë elektronike. Me mirënjohje të merituar ndaj drejtuesit profesionist të televizioneve dhe redaksive të lajmeve, duke zhvilluar cilësi në gazetari dhe në debatet televizive”.
Presidenti Begaj vlerësoi figurën e Ballës si gazetar, reporter, drejtues i departamenteve të lajmeve si dhe drejtues i spikatur i programeve talk show në disa prej mediave më të mëdha në vend. Nga ana e tij, z. Balla shprehu mirënjohjen ndaj Presidentit Begaj për vlerësimin.