Presidenti i Republikës së Shqipërisë

0a8bb23c 0456 4b4f 8aeb 3e17d01e24f0 1

Lajme

Presidenti, mesazh deputetëve: Ndalni konfliktet! Parlament funksional, realizoni reformën zgjedhore dhe votimin e emigrantëve!

Presidenti i Republikës, SH. T. Z. Bajram Begaj, iu drejtua sot politikanëve me një mesazh të posaçëm në çeljen e sesionit të ri parlamentar.

Në pamundësi për të mbajtur fjalën në Kuvend për shkak të moszhvillimit të një seance normale, Kreu i Shtetit e përcolli këtë mesazh përmes mediave në Presidencë.

Ai bëri thirrje për një kthesë në jetën politike, dhënien fund të konflikteve, ruajtjen e demokracisë dhe parlamentarizmit, si edhe për bashkëpunim, në mënyrë që ligjvënësit të përmbushin pritshmëritë e qytetarëve.

Funksionimi normal i jetës parlamentare, përmbushja e detyrës së deputetëve për kërkim, transparencë dhe llogaridhënie të ekzekutivit, si dhe bashkëpunimi ndërpartiak për realizimin e reformës zgjedhore dhe votimin e Diasporës ishin në fokus të mesazhit të Presidentit drejtuar Kuvendit.

Presidenti Begaj theksoi domosdoshmërinë që pozita dhe opozita të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të krijojnë një atmosferë ku të mbizotërojë dialogu, interesi publik dhe kombëtar.

Kuvendi, – u shpreh Presidenti, ka nevojë për opozitën, ka nevojë për zërin e saj, argumentet e saj, si dhe përballjen në debate me ide dhe fakte.

Presidenti theksoi se interesat partiake nuk mund të bëhen pengesë për konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimit socialo-ekonomik të vendit dhe, për situatën ku ndodhemi, për ecurinë e procesit integrues në BE.

”Jam i bindur, – deklaroi Presidenti Begaj, se deputetët dhe klasa politike mund të gjejnë forca që konfliktin politik ta zëvendësojnë me bashkëpunim konstruktiv.

Ndërsa bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe debat konstruktiv mes palëve, Presidenti Begaj u shpreh: “Kuvendi është skena e ballafaqimit të ideve, jo arena e luftës ndaj kundërshtarit. Është dora e shtrirë ndaj kompromisit dhe dialogut. Sesioni i kaluar i Kuvendit, fatkeqësisht, shpenzoi më shumë kohë për agjenda joparlamentare, se sa për çështje madhore për vendin. Koha e humbur në theksimin e ndasive nuk kthehet më”.

Dukë renditur sfidat me të cilat përballemi, si: siguria, drejtësia, arsimi, shëndetësia, rritja e mirëqenies e drejtësia sociale, Presidenti u bëri thirrje palëve duke u shprehur:  “Koha nuk pret. Pritshmëritë e qytetarëve duhet të jenë standardi që ju udhëheq në çdo hap të punës suaj. Qytetarët shqiptarë presin të shohin një parlament funksional, dhe jo përplasje fizike në shtëpinë e demokracisë sonë”.

Kreu i Shtetit rikonfirmoi mbështetjen e tij për reformën në drejtësi dhe ftoi të gjithë aktorët të gjejnë forcën dhe kurajën për të kryer misionin, për ta bërë Shqipërinë një shtet të së drejtës, duke luftuar pa kompromis krimin dhe korrupsionin.