06/05/2024• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, u prit sot në një audiencë të veçantë në Selinë e Shenjtë në Vatikan nga Shenjtëria e Tij, Papa Françesku.
Kjo është hera e dytë që Presidenti Begaj pritet në audiencë nga Ati i Shenjtë, pas vizitës së parë që zhvilloi në Vatikan në dhjetor të vitit 2022.
Kreu i Shtetit e falënderoi përzemërsisht Papa Françeskun për këtë pritje, si dhe për mesazhet e paqes dhe thirrjet për t’i dhënë fund konflikteve të armatosura, sidomos në zonat e nxehta, Ukrainë dhe Lindje e Mesme.
Presidenti i Republikës konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në krah të aleatëve perëndimorë për zgjidhjen përmes dialogut, si e vetmja garanci për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit e më gjerë.
Presidenti Begaj i dhuroi Atit të Shenjtë një pikturë të kishës së Kuvendit të Rubikut, ikonë e krishterimit shqiptar dhe një ndër kishat më të vjetra në Ballkan.
Presidenti Begaj u prit në një takim edhe nga Sekretari i Shtetit, Kardinal Parolini.
Gjatë këtij takimi u diskutua për proceset integruese që Shqipëria ka ndërmarrë si pjesë natyrale e Evropës dhe që tashmë, me avancimin e reformave, pret të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj falënderoi Sekretarin e Shtetit për mbështetjen që Selia e Shenjtë i jep proceseve integruese të Shqipërisë.
Gjithashtu, Presidenti i Shqipërisë i përcolli Sekretarit të Shtetit progresin që Kosova ka bërë në procesin e reformave të shtetit të së drejtës, respektimit të pakicave dhe integrimit në organizmat ndërkombëtare.
Kreu i Shtetit theksoi vijimësinë e angazhimit të tij për thellimin e bashkëpunimit, duke iu referuar edhe lidhjes së Selisë së Shenjtë me kishën katolike shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, u shoqërua në këtë vizitë nga Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, znj. Majlinda Frangaj.