15/11/2022• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot Ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sulaiman Hamid Hamad Almazroui, me rezidencë në Athinë.
Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike dhe duke iu referuar “Javës së Kulturës së Emirateve” me rastin e kremtimeve të 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike nënvizoi se forcimi i bashkëpunimit në fushën e kulturës është një tregues shumë domethënës në ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe.
Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për vendimin e marrë nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe për të liberalizuar së shpejti vizat për pasaportat e thjeshta, duke shtuar se ky hap do të ndikonte shumë pozitivisht në kontaktet mes shtetasve të të dy vendeve dhe rritjen e shkëmbimeve në fushën e turizmit.
Vëmendje të veçantë Kreu i Shtetit ia kushtoi marrëdhënieve në fushën e ekonomisë, ku theksoi se falë dhe kuadrit të përbashkët ligjor, mundësitë e bashkëpunimit dhe lehtësimit të investimeve të kompanive nga Emiratet janë tejet të mëdha, veçanërisht në fushën e energjisë, infrastrukturës, turizmit, etj..
Gjatë bisedës u diskutua edhe mbi bashkëpunimin e të dy vendeve në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si anëtare jo të përhershme të këtij organizmi.