Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Mesazhe

Presidenti Begaj mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të regjisorit Vladimir Prifti: Frymëzim për brezat e rinj të kinematografisë shqiptare!

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, shprehu sot ngushëllime për familjarët, të afërmit dhe komunitetin e artistëve për ndarjen nga jeta të regjisorit Vladimir Prifti.

1

Në një mesazh të posaçëm Presidenti Begaj u shpreh: “Sot arti shqiptar humbi një ndër regjisorët më të talentuar dhe Shqipëria një intelektual pa kompromis, Vladimir Priftin.

Do të mjaftonin vetëm dy vepra, ikona të filmit shqiptar, si: “Udha e shkronjave” dhe “Flutura në kabinën time” për t’u përjetësuar emri i tij në plejadën e regjisorëve më të mirë shqiptarë, por vepra e tij përmban edhe shumë realizime filmash të tjerë. Si skulptor i imazhit, ai skaliti personazhe të pashlyer nga kujtesa e publikut”.

Presidenti Begaj vlerëson, gjithashtu, kontributin e tij në shoqëri: “Artist, intelektual dhe, mbi të gjitha, njeri që e donte vendin e vet, Vladimir Prifti është frymëzim për brezat e rinj të kinematografisë shqiptare” .

“I shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjarëve”,- shkruan Presidenti Begaj në mesazhin për ndarjen nga jeta të regjisorit Vladimir Prifti.