Presidenti i Republikës së Shqipërisë

presidenti begaj brdo brijuni 2

Lajme

Presidenti Begaj merr pjesë në Takimin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj po merr pjesë në Takimin e radhës së Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që po mbahet në Brdo të Sllovenisë, në të cilin marrin pjesë të gjithë Krerët e Shteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

presidenti begaj brdo brijuni 1Procesi i Brdo-Brijunit është platforma më e lartë politike rajonale, e bashkëdrejtuar nga Presidentët e Sllovenisë, Sh. T. Z. Borut Pahor, dhe Kroacisë, Sh. T. Z. Zoran Milanović.

presidenti begaj brdo brijuni 3Në fjalën e tij, Presidenti Begaj u fokusua, në mënyrë të veçantë, në mundësitë e përshpejtimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, ndikimin e madh e të rrezikshëm që agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka për paqen dhe sigurinë në Evropë dhe në botë, si dhe tek sfidat e situatës energjetike dhe të sigurisë ushqimore në nivel global.

Duke u ndalur tek procesi i zgjerimit, Presidenti Begaj vlerësoi rolin e bashkëkryetarëve të Procesit të Brdo-Brijunit dhe përpjekjet e tyre të përbashkëta për ta mbajtur integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në fokusin e BE-së, si një çështje të mirëfilli gjeopolitike me ndikim edhe për paqen dhe sigurinë e kontinentit evropian në tërësi.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj nënvizoi se: “Agresioni ushtarak i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus kundra Ukrainës duhet të përbëjë një pikë kthese për BE-në, sepse siguria nuk mund të merret si e mirëqenë, në një kohë kur aktorët e tretë janë një kërcënim real për europianizimin e rajonit”.

Duke iu referuar kërcënimeve reale të aktorëve të tretë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Presidenti Begaj bëri prezent sulmet më të fundit kibernetike, të ndërmarra ndaj sistemit elektronik shqiptar të të dhënave dhe shërbimeve elektronike qeveritare nga aktorë të lidhur me agjencitë shtetërore të Iranit, si dhe masat ekstreme diplomatike të ndërmarra nga autoritetet shqiptare.

Presidenti Begaj shprehu besimin se zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Ukrainë, e kanë nxitur BE-në të kenë një qasje të re ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe të ndërmarrin veprime të shpejta, pasi nuk ka kohë për të humbur në këtë drejtim.

Presidenti Begaj i njohu Liderët pjesëmarrës në takim edhe me reformat transformuese të ndërmarra nga institucionet shqiptare në kuadër të axhendës së integrimit evropian, duke vlerësuar mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri dhe BE-Maqedoni e Veriut, si një sinjal të fortë për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit.

Duke u ndalur tek situata në Ukrainë, Presidenti Begaj theksoi se ky konflikt po riformëson të gjithë skenën ndërkombëtare gjeopolitike dhe gjeoekonomike, pasi lufta në Ukrainë po sjell vuajtje dhe viktima të shumta e të pafajshme, miliona refugjatë, por edhe një kërcënim të shtuar të armëve bërthamore. Në këtë kuadër, Presidenti Begaj i njohu të pranishmit edhe me kontributin e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB, në mbrojtje të paqes, vlerave dhe rendit botëror.

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj mbajtur në Takimin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit