Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 7319

Lajme

Presidenti Begaj merr pjesë në ceremoninë e festimit të 85-vjetorit të Radio Tiranës

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e kremtimit të 85-vjetorit të Radio Tiranës. 

Presidenti Begaj vlerësoi zërat që kanë informuar shqiptarët përmes Radio Tiranës dhe figurat e gazetarisë që kontribuuan ndër vite në ngritjen e radiofonisë shqiptare. 

IMG 7317

Presidenti e vlerësoi kontributin e Radio Tiranës për mbajtjen gjallë të lidhjeve me bashkatdhetarët jashtë vendit, të gjuhës shqipe, të patriotizmit dhe njohjes ndërkombëtare të Shqipërisë.  

“Radio Tirana me programet e saj për bashkatdhetarët ishte mundësia e vetme e mbajtjes së kontakteve me shqiptarët në trojet e tyre në ish-Jugosllavi. Radio Tirana ishte i vetmi burim informacioni në gjuhën shqipe për ta. Roli i saj në  vitet 1980, me fillimin e protestave në Kosovë, ishte shumë i rëndësishëm për informimin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ajo ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në unifikimin e gjuhës shqipe ndër shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, sikurse edhe në ruajtjen e pastërtisë së saj. Ruajtja dhe lëvrimi i gjuhës shqipe ka qenë dhe mbetet thelbësore për identitetin tonë. Duke qenë një ndër radiot e pakta që transmeton në disa gjuhë të huaja, ajo është,  gjithashtu, një promovuese e Shqipërisë dhe e potencialeve të saj”. 

IMG 7316

Ky institucion mediatik e ka nisur transmetimin më 28 nëntor 1938 si radioja e parë në Shqipëri. Përgjatë këtyre viteve, radio Tirana ka kaluar një seri peripecish, si: pushtimin italian, pushtimin gjerman dhe regjimin diktatorial, deri kur pas viteve ’90 u shndërrua në një media të lirë.

Presidenti Begaj u shpreh, -“Duke qenë mjeti i vetëm informativ për disa dekada, ajo u përdor nga regjimet e ndryshme si mjet propagande, por kjo nuk ia ul asaj kontributin. Radio Tirana është një pasuri që duhet mbrojtur dhe kultivuar”, dhe inkurajoi punonjësit ta kryejnë këtë mision për të gjithë dëgjuesit shqiptarë e të huaj.