Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 20230427 WA0037

Lajme

Përgjigjet e Presidentit Begaj gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin Milanoviç

Pyetja nr.1: Cili është impakti, ndikimi i kësaj vizite shtetërore të Presidentit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë, veçanërisht në këto momente të reja gjeopolitike dhe vëmendje të shtuar nga Bashkimi Evropian për rajonin dhe Ballkanin Perëndimor?

Pyetja nr. 2: Sa të afta janë dy vendet, Kroacia dhe Shqipëria, për të ndihmuar Kosovën në anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe në organizatat e tjera rajonale e ndërkombëtare, përfshirë këtu NATO-n dhe Bashkimin Evropian? 

Presidenti Bajram Begaj: Siç e thashë edhe në deklaratë, kjo vizitë është shprehje e vullnetit të qartë që kemi të përbashkët midis dy presidentëve, që marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Shqipërisë, përveç marrëdhënieve miqësore tradicionalisht të vijojnë të rriten.

Këto marrëdhënie janë edhe të një niveli strategjik, që do të thotë se ne ndajmë të njëjtin vizion dhe parime për çështje që lidhen me paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit ku ne jetojmë. 

Natyrisht që këto raporte të mira politike nuk mund të kuptohen pa raporte të mira ekonomike. Kështu që me këtë rast dua që të shikohen mundësitë dhe rrugët e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjelltë, që shkëmbimi tregtar midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë të rritet, dhe e përmenda me disa të dhëna për të cilat mendoj që janë të rëndësishme për t’u nënvizuar, siç është linja direkte ajrore me Kroacinë dhe Shqipërinë, patja e një linje detare midis Shqipërisë dhe Kroacisë për shkëmbimin tregtar, po ashtu edhe projekte me rëndësi strategjike që mund të jetë infrastruktura rrugore e Korridorit Blu apo infrastruktura energjitike e gazsjellësit Adriatiko-Jonian i cili do të lidhet edhe me TAP-in në Shqipëri. 

Vlerësoj që situata e luftës në Ukrainë ka bërë që vendet të mendojnë ndryshe për çështje të lidhura me sigurinë dhe për këtë qëllim mendoj që ka një vëmendje të Bashkimit Evropian edhe për sa i përket Ballkanit Perëndimor.

Besoj se kjo vëmendje do të jetë e duhura qe gjithë ky rajon të jetë i integruar në Bashkimin Evropian.

Pyetja nr. 3: Çfarë shihni si sfidën më të madhe, kërcënimin më të madh për sigurinë e Evropës Juglindore, e në kontekst të saj si e shihni zhvillimin e situatës pas zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi dhe mesazhet të cilat vijnë nga Serbia, nga Zoti Vuçiç i cili thotë se Serbia do të pyetet kur do të ndalojë destabilizimi i Kosovës, dhe në fakt deklarata e zotit Daçiç i cili ka thënë se ajo çfarë është duke ngjarë rreth Kosovës do të ndikojë në raportet e ndërsjella me Bosnjë-Hercegovinën? 

Presidenti Bajram Begaj: Në fakt mendoj që të gjithë liderat e Ballkanit Perëndimor duhet të sillen jo si politikanë por si shtetarë.

Ka nevojë që njerëzit të kuptojnë që duhen lënë mënjanë retorika boshe, retorika nacionaliste, të cilat nuk i shërbejnë askënd përveçse rritjes së tensioneve në rajonin tonë. 

Për të ardhur te deklarata që ju përmendët, unë mund t’i shtoj deklaratës së Presidentit Milanoviç se për mua si President i Shqipërisë, Kosova është e një interesi madhor dhe se shteti i Kosovës është një shtet Sovran, i pavarur dhe se integriteti territorial i Kosovës as nuk mund të vihet në dyshim. 

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vendosur, kjo nuk është çështje dëshirash individësh, por për individët mendoj që dëshirat e tyre duhen lënë mënjanë e të punojnë më shumë për mirëqenien e popullit të tyre, për të lënë mënjanë retorikën e konflikteve dhe për të ndërtuar një shoqëri të Ballkanit Perëndimor ku njerëzit të kenë të drejtë të jetojnë në paqe, në stabilitet, në siguri dhe mirëqenie. 

Nuk mendoj që zgjedhjet në Malin e Zi kanë prishur rrugëtimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

Presidenti i ri e ka deklaruar publikisht në qëndrimet e tij që ka një qëndrim të qartë pro evropian dhe pro Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Për sa i përket kërcënimeve të sigurisë që ju mendoni për Ballkanin Perëndimor, unë mendoj që në tërësi situata e sigurisë globale ka ndryshuar.

Tani nuk kemi më çrregullim të sigurisë që është vetëm konvencional, por ka edhe çrregullime të sigurisë të cilat lidhen me sulme hibride, dhe natyrisht në këtë kuptim rajoni jonë, po flas në tërësi rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk është imun dhe në çdo kohë mund të jetë i rrezikuar. 

Natyrisht ka edhe aktorë të tjerë të cilët janë të përfshirë dhe duan të përfshihen në rajon, diku më shumë diku më pak, të cilët duan të cënojnë ose të fusin pengesa në rrugëtimin e rajonit drejt Bashkimit Evropian.

Nuk mendoj se do ia arrijnë sepse rajoni i gjithi të paktën publikisht dhe politikisht është i shprehur që ka një qëndrim të qartë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. 

Pyetja nr. 4: Vitin e kaluar në Tiranë është mbajtur takimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian dhe atje ka pasur fjalë për mbylljen e të ashtuquajturëve vrima migratore drejt se cilëve kemi rrjedhën dhe numrin e shtuar të emigrantëve, të cilët paraqesin një prej rrugëve më të njohura të lëvizjes së emigrantëve. Natyrisht Bashkimi Evropian ka kërkuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, për ta ashpërsuar regjimin e vizave për vendet që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, por edhe të Evropës, dhe çfarë do të jetë qëndrimi juaj që do të flitet për këtë gjë në takimin e dytë ndërministror që do të bëhët në mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë?  

Presidenti Bajram Begaj: Çështja e emigracionit është një çështje e cila lidhet me flukset të cilat vijnë nga Lindja e Mesme dhe Shqipëria. Në fakt ka një kontroll të territorit të mirë.

Numri i emigrantëve në Shqipëri, të ardhur nga këto vende është i pakët dhe besoj se edhe si rrugë për të kaluar sepse si rrugë tranzitore nuk është e duhura.

Shqipëria në Samitin e mbajtur në dhjetor midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, pavarësisht se nuk është vend i Bashkimit Evropian, ka arritur të krijojë një bashkëpunim shumë të ngushtë me FRONTEX dhe ka një plan të detajuar masash për të kontrolluar flukset migratore nga kufiri shqiptar.

Të paktën për momentin nuk është një fenomen i cili është i prekshëm apo i evidentueshëm.