Presidenti i Republikës së Shqipërisë


Shorti për KED 2023

Për caktimin e datës mbi organizimin e procedurës së hedhjes së  shortit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), që do të funksionojë përgjatë vitit 2023

Presidenti i Republikës së Shqipërisë organizon hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), më datë 5 Dhjetor 2022, ora 10:00.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të:

  • nenit 149/d, pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;
  • nenit 221, të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar;
  • Vendimit 469, datë 21.11.2022, ka vendosur që:

Ditën e hënë, datë 5 dhjetor 2022, ora 10:00, në sallën “Skënderbej”, në Institucionin e Presidentit të Republikës, me adresë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1, Tiranë, do të hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili do të funksionojë përgjatë vitit 2023.

Rregullat e hollësishme për hedhjen e shortit janë të miratuara me Vendimin nr. 404, datë 25.11.2019, të Presidentit të Republikës, “Për përcaktimin e procedurës dhe rregullave të hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.

Në zbatim të nenit 221, të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kanë dërguar në Institucionin e Presidentit të Republikës listat me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët sipas këtyre organeve, plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për t`u përfshirë në shortin që do të hidhet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Institucioni i Presidentit të Republikës, në zbatim të pikës 1 dhe 2, të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar, do të jetë në komunikim zyrtar të vazhdueshëm me institucionet respektive për administrimin e informacionit të azhornuar për të garantuar që në momentin e hedhjes së shortit më datë 5 dhjetor 2022, ora 10:00, sipas ligjit, të përfshihen në short për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ata magjistratë (gjyqtarë e prokurorë) dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, plotësojnë kushtet e parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj.

Institucioni i Presidentit të Republikës njofton publikisht dhe zyrtarisht Avokatin e Popullit, për të qenë i pranishëm si vëzhgues i të gjithë procedurës së hedhjes së shortit.

Presidenti i Republikës fton Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të jenë të pranishëm në momentin e hedhjes së shortit përmes një përfaqësuesi të caktuar prej tyre.

Procedura e hedhjes së shortit do të jetë publike dhe do të transmetohet live/drejtpërdrejt përmes mjeteve të informimit publik, medias televizive, medias on line etj.

Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije, se ka parashikuar që, procedura e hedhjes së shortit të ketë mbulimin e nevojshëm mediatik, si edhe ka marrë të gjitha masat, që ky proces t’i nënshtrohet plotësisht parimeve të transparencës, gjurmueshmërisë dhe monitorimit, të bëhet  i mundur transmetimi dhe ndjekja “live” e në kohë reale, në mënyrë që procesi i hedhjes së shortit të ndiqet drejtpërdrejt nga të gjithë institucionet, subjektet e interesuara dhe publiku.

Më poshtë gjenden të publikuara:

Vendim nr. 469, datë 21.11.2022 i Presidentit të Republikës, “Për caktimin e datës për organizimin e procedurës për hedhjen e shortit nga Presidenti i Republikës, për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që do të funksionojë përgjatë vitit 2023”;

Rregullore për përcaktimin e procedurës për hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të KED-së, miratuar me Vendimin nr. 404, datë 25.11.2019, të Presidentit të Republikës;

Listat paraprake të kandidatëve, të dërguara nga Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Shënim: Duke vlerësuar transparencën, si parimin themelor të veprimtarisë së Institucionit të Presidentit të Republikës, kjo rubrikë do të përditësohet në kohë reale me informacionin dhe dokumentacionin që Institucioni i Presidentit të Republikës, do të kërkojë apo do të administrojë në lidhje me të gjithë procesin.

Tiranë, më 21 nëntor 2022

Vendimi i Presidentit 469 datë 21.11.2022 për hedhjen e shortit