Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 1264

Fjalime

Fjala e Presidentit të Republikës, SH. T. Z. Bajram Begaj, në RAI Calabria

I nderuar Zoti Drejtor Massimo Fedele,

Të nderuar autoritete të pranishme,

Zonja e zotërinj,

Është kënaqësi, që në kuadër të vizitës sime të parë, si President i Republikës së Shqipërisë, në Rajonin e Kalabrisë, të kem mundësi që të vizitoj këtë institucion të rëndësishëm mediatik. Ne shqiptarët e Republikës së Shqipërisë kemi lidhje të rëndësishme shpirtërore me Rai-n.

Them lidhje shpirtërore, pasi për gjeneratën time, veçanërisht gjatë periudhës së izolimit komunist, RAI ishte një dritare përmes së cilës ne shihnim botën demokratike dhe kuptonim që realiteti nuk ishte ashtu siç propagandohej nga regjimi komunist.

Ju falënderoj për mikpritjen dhe dëshiroj, gjithashtu, të shpreh mirënjohjen për angazhimin dhe kontributin e RAI Calabria-s, në promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe përmes programeve të ndryshme.

Kënaqësia është edhe më e madhe pasi kjo vizitë korrenspondon dhe me miratimin e rezolutës nga Komisioni i Mbikqyrjes së Shërbimit Publik të Radiotelevizionit Italian, me anë të së cilës mbështetet transmetimi nga RAI Calabria, i programeve në gjuhën arbëreshe për 2023-2028.

Jam besimplotë, se transmetimi i rregullt në gjuhën arbëreshe, do të jetë një kontribut i vyer për ruajtjen e kësaj gjuhe shumëshekullore, që për shkak të zhvillimeve globale rrezikon të humbasë. Transmetimi i programeve të tilla nga RAI Calabria, në kuadër të ruajtjes nga Italia të gjuhëve të minorancave, do të ndihmojnë që kjo gjuhë të ruhet e trashëgohet më tej.

E përshëndes nga zemra këtë vendim dhe mendoj, se është shumë e rëndësishme, që në këtë kohë të masivizimit të mendimit dhe uniformitetit të zakoneve dhe filozofive të jetës, të mbrohen në radhë të parë  të gjitha pakicat etno-gjuhësore. Dhe në veçanti gjuha arbëreshe e cila për ne është trashëgimi që duhet ruajtur e përcjellë.

Duke e krahasuar arbërishten me shqipen e sotme, Çabej shprehej, se një shqiptar i Shqipërisë, duke dëgjuar një arbëresh të San Marzanos, do të kishte të njëjtën përshtypje që një italiani të sotëm i lë dëgjimi i gjuhës italiane të kohës së Dantes.

Në Itali ka një popullsi me mbi 100 mijë arbëreshë, me komunitete që janë të përqendruara kryesisht në jug të vendit tuaj, të cilat janë ato që mbeten ende në masë të madhe kolonitë e themeluara nga shqiptarët e parë që mbërritën në këto troje në shekullin e 15-të.

Ata sot përfaqësojnë pakicën etnolinguistike më të populluar në Itali!

Gjithashtu, vlerësoj shumë kontributin që RAI ka dhënë në dekadat e fundit, me dokumentarët dhe shërbimet e shumta gazetareske mbi trashëgiminë gjuhësore dhe promovimin kulturor të botës arbëreshe kalabreze dhe rrënjëve të saj të lidhjes me Shqipërinë.

Një kontribut shumë i rëndësishëm, për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës arbëreshe, është edhe mbështetja e kandidaturës së përfshirjes në listën e trashëgimisë verbale dhe jo-materiale të UNESCO-s së trashëgimisë arbëreshe të quajtur “Moti i Madh” (Il Tempo Grande).

Ka një bashkëpunim shumë të mirë e të mirëkoordinuar mes autoriteteve italiane dhe shqiptare për të mundësuar që kjo iniciativë të bëhet pjesë e trashëgimisë botërore.

Natyrisht kemi ende shumë për të bërë. Për shembull, kur disa studiues shqiptarë filluan të interesoheshin për kulturën arbëreshe, për fat të keq gjetën shumë pak burime nga të niseshin. Në Itali të vetmet ishin ato të institutit LUCE, ndonëse për fat RAI prodhoi disa dokumente, por materialet janë ende shumë të pakta.

Sot në kohën e digjitalizimit, i kemi të gjitha mjetet për t’i shkurtuar distancat gjeografike dhe strukturore. Lajmi i mirë është që OKB-ja e ka futur gjuhën arbëreshe në listën e 3000 gjuhëve nga 7000 më të rrallat në botë që janë në prag zhdukjeje. Kjo na inkurajon të bëjmë ç’është e mundur për të ruajtur gjuhën arbëreshe.

Sot për arbëreshët flitet ende pak dhe të gjithë duhet t’i mbështesim me çdo mjet të ruajnë traditën e tyre. Një mënyrë është duke lejuar mësimin e gjuhës arbëreshe në shkollat e komuniteteve të pranishme në rajonin tuaj, krahas lëndës italiane. Në të vërtetë, ligji italian e parashikon tashmë këtë kusht, por duket se për motive nga më të ndryshmet, nuk është i lehtë për t’u zbatuar. Të paktë janë edhe mësuesit që e njohin gjuhën dhe mund ta japin atë si mësim.

Duke e mbyllur, dëshiroj edhe njëherë, që në emrin tim dhe të Republikës së Shqipërisë, të shpreh mirënjohjen institucionale për rolin dhe kontributin që RAI Calabria dhe autoritetet italiane kanë dhënë e japin për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe.

Këtë mirënjohje po e shpreh, duke i akorduar këtij institucioni të rëndësishëm mediatik të Rajonit të Kalabrisë, një nga dekoratat më të larta të Shtetit Shqiptar, atë që lidhet me heroin kombëtar të shqiptarëve, heroit që qendron në themel të kulturës dhe identitetit arbëresh, dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

E akordoj këtë dekoratë, në vlerësim të punës për promovimin kulturor të botës kalabreze arbëreshe dhe të rrënjëve të saj të lidhura me Shqipërinë, vlerave dhe traditave të komunitetit arbëresh, si një mburojë fisnike në mbrojtje të minoriteteve gjuhësore dhe mjeti më i mirë informativ e social nëpërmjet programeve televizive dhe radiofonike.

Faleminderit !