04/09/2023• Fjalime• Bianka Hada
Tema e Kuvendit të Dytë të Studimeve Arbëreshe, “Mbijetesa e Arbërishtes në Shekullin e XXI” nuk mund të ishte më e rëndësishme e më me vend.
Arbërishtja ka vite që renditet nga UNESCO si qartësisht e rrezikuar (Angl. definitely endangered) në Atlasin e gjuhëve të rrezikuara të botës. Kjo renditje do të thotë mes të tjerash se fëmijët arbëresh në shtëpi nuk e mësojnë më arbërishten si gjuhë mëme.
Renditja e UNESCO-s si edhe përfshirja e arbërishtes në projektin e OKB-së “Për Gjuhët në Rrezik” reflekton atë që studjues të mirënjohur shqiptarë e të huaj e kanë thënë e argumentuar prej kohësh në punimet e tyre.
Mbijetesa e arbërishtes pa dyshim do të ishte e paçmueshme për trashëgiminë shekullore arbëreshe, traditat, kujtimet dhe mënyrat e veçanta të mendimit e shprehjes.
Komunikimi në arbërisht në komunitet rrit integrimin, kohezionin, edukimin dhe zhvillimin. Përdorimi i arbërishtes në shtëpi i ushqen fëmijët me dashurinë për kulturën dhe rrënjët e tyre si edhe forcon identitetin kulturor e lidhjet familjare.
Arbërishtja përveç shumë të tjerave, ka kontribute të mëdha në rilindjen tonë kombëtare si edhe në letrat e publicistikën shqipe me krijimtarinë e De Radës, Serembes, Skiroit e shumë e shumë autorëve të shquar të kohëve të shkuara e ditëve të sotme.
Por, sikurse sugjerojnë studjuesit ekspertë dhe suksesi i atyre fare pak gjuhëve të ringjallura si edhe përvoja e trishtë e shumë e shumë gjuhëve të heshtura përgjithmonë, shpëtimi i arbërishtes do të jetë i vështirë dhe në një garë të pamëshirshme me kohën e nën trysninë e përdorimit gjithnjë e më shumë të gjuhës dominante.
Gjithësesi, mendoj se disa faktorë që studjuesit argumentojnë se janë të nevojshëm për ringjalljen e arbërishtes kanë filluar të veprojnë në drejtimin e duhur.
Kështu është rritur vëmendja e kontributi i shtetit shqiptar ndaj diasporës historike shqiptare në përgjithësi dhe ndaj arbëreshëve të Italisë në veçanti.
Si President Republikës kam ndërmarrë nismën për mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës dhe zhvillimin të librit shqip. Në këtë linjë ndihma e mbështetja ime për arbërishten do të jetë e pakursyer.
Si një kontribut të rëndësishëm gjej gjithashtu krijimin në shtator 2019 të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët. Kjo qendër ka kryer veprimtari të lavdërueshme me disa botime të përvitshme mbi arbërishten e në arbërisht si edhe me revistën periodike studimore “Continuum”.
Botimet mbi arbërishten përveçse janë kontribute të rëndësishme në thesarin e shkrimeve, publicistikës dhe letërsisë arbëreshe përbëjnë edhe një nga faktorët e nevojshëm për rijetësimin e vetë arbërishtes.
Kontribut në këtë drejtim i shkollave arbëreshe dhe katedrave të gjuhës shqipe në Universitetin e Napolit, Palermos, Cosenza-s, Bari-t e Romës është i një rëndësie të jashtëzakonshme.
Së fundi, por jo nga rëndësia, vetë komuniteti arbëresh me gjuhën, traditat, këngët, veshjet e bukura dhe entuziasmin e dashurinë për arbërishten është një faktor i rëndësishëm që duhet mobilizuar.
Besoj se diskutimet e studiuesve, përfaqësuesve të institucioneve europiane dhe komunitetit arbëresh, në Kuvend, do të çojnë drejt një strategjie me objektiva konkrete për vënien e arbërishtes në rrugën e shpëtimit.