19/04/2023• Fjalime• Bianka Hada
Mirëmbrëma,
Ambasadore Kim,
Të nderuar përfaqësues të Ambasadës Gjermane,
Të nderuar Alumni dhe miq të Qendrës Marshall,
Është kënaqësi e veçantë të jem sonte i pranishëm në këtë aktivitet të Qendrës Evropiane të Studimeve për Sigurinë “George C. Marshall”.
Ashtu si Ju, edhe unë jam një Alumnius i Qendrës Marshall dhe besoj fort në misionin e saj.
Kam pasur fatin të ndjek Senior Executives Seminar në qershor të vitit 2018.
Në këtë kurs krijova një përvojë mbresëlënëse dhe përjetova nga afër mundësinë e papërsëritshme që ofron partneriteti gjermano-amerikan në këtë institucion të rëndësishëm për sigurinë evropiane.
Ndërsa Qendra Marshall feston 30-vjetorin e saj, është e rëndësishme të kujtojmë se ky institucion u krijua për të ndihmuar në promovimin e paqes dhe të stabilitetit në Evropën Lindore.
Falë edhe kontributit të Qendrës Marshall u bë i mundur transformimi i vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore në shtete demokratike, të mirëqeverisura dhe të integruara në familjen euro-atlantike.
Besoj se sot misioni i kësaj qendre është më i rëndësishëm se kurrë.
Partneriteti gjermano-amerikan promovon vlera të përbashkëta dhe avancon zgjidhje bashkëpunuese gjeostrategjike, duke edukuar, angazhuar dhe fuqizuar.
Këtë vit festojmë edhe 75-vjetorin e fjalimit historik të Sekretarit të Shtetit George Marshall në Harvard, i cili përshkroi në mënyrë të shkëlqyer konturet e politikave që më pas u bë Plani Marshall.
Ky plan me plot të drejtë është përshkruar si një nga aventurat më të mëdha dhe më të nderuara në histori sepse në një kohë të vështirë për historinë evropiane, ofroi shpresë atje ku dhe shpresë nuk kishte.
Ne jemi dëshmitarë të agresionit të paligjshëm dhe brutal të Rusisë ndaj një vendi Sovran si Ukraina, të kërcënimeve të paprovokuara të Rusisë ndaj sigurisë transatlantike, si dhe ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Njëkohësisht, jemi dëshmitarë të një stresi të ngjashëm gjeopolitik që buron nga vende të tjera autoritare kundër komunitetit të demokracive.
Në këtë epokë të re të konkurrencës strategjike sfidat tradicionale janë bërë më të mprehta dhe sfidat e reja më shqetësuese.
Sot marrin rëndësi më shumë se kurrë vlerat e qeverisjes demokratike, si dhe rëndësia kritike për të vazhduar investimin tonë në marrëdhëniet transatlantike.
Kërcënimet me të cilat përballemi nuk jane imagjinare, por reale.
Për komunitetin tonë Euro-Atlantik klima aktuale gjeopolitike e bën të domosdoshëm bashkëpunimin e ngushtë me prioritete që kanë në thelb qëllime të përbashkëta: të sigurisë, paqes dhe të mirëqenies.
Ne duhet të përvetësojmë mësimet e historisë në mënyrë që të përgatitemi për të ardhmen, dhe në një kohë kur të gjithë po vihemi në provë, duhet të rivlerësojmë dhe të riafirmojmë vlerat tona.
Ky është padyshim një moment përcaktues për komunitetin Euro-Atlantik dhe për partnerët tanë globalë, të cilët besojnë dhe vlerësojnë idealet demokratike, si dhe të drejtat e njeriut.
Sot, po përballemi me sfida komplekse dhe hibride, ku hapësira kibernetike është një nga më kryesoret.
Siç e dini, Shqipëria u përball me një sulm të rëndë kibernetik të mbështetur dhe të financuar nga struktura të caktuara të Republikës Islamike të Iranit.
Sulmi synoi shkatërrimin e të dhënave dhe ndërprerjen e shërbimeve digjitale për publikun.
Falë bashkëpunimit me partnerët tanë euro-atlantikë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, sulmi nuk e arriti qëllimin për të gjunjëzuar Shqipërinë.
Gjej rastin të falënderoj qeverinë e SHBA-së, ekspertët e së cilës së bashku me partnerët e sektorit privat, kanë kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme.
Ata kanë mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për të identifikuar, zbutur, rimëkëmbur dhe për të hetuar këtë sulm kibernetik të pa hasur kurrë më parë në një vend të NATO-s.
U jemi shumë mirënjohës aleatëve tanë për mbështetjen dhe për ndihmën e dhënë në ndërtimin e në forcimin e kapaciteteve dhe të qëndrueshmërisë sonë kibernetike.
Përvoja jonë e hidhur është shembull i sfidave me të cilat përballemi, ku aktorë shtetërorë e jo shtetërorë, me synime keqdashëse dhe destabilizuese mund të sulmojnë me një ndjenjë mosndëshkimi.
Këto raste demonstrojnë rëndësinë e forcimit të Aleancës dhe të partneritetit euro-atlantik. Konkretisht marrëdhënia gjermano-amerikane e Qendrës Marshall është një shembull i shkëlqyer i partneriteteve të suksesshme.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania kanë qenë kontribues kryesorë për paqen dhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor prej disa dekadash.
Ndërsa rajoni vazhdon të ecë përpara në përpjekjet e tij për integrimin e plotë Euro-Atlantik, fryma e partneritetit duhet të jetë udhërrëfyese për këtë rrugëtim.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor meriton akoma vëmendje, pasi ka hapësira që mbartin potenciale paqëndrueshmërie.
Gjej rastin të vlerësoj angazhimin serioz të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe të SHBA-së për përpjekjet këmbëngulëse në funksion të avancimit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Ky dialog për normalizmin e marrëdhënieve duhet të qendërzohet drejt njohjes reciproke.
Jam shumë i lumtur që Shqipëria ka më shumë se 300 Alumni të Qendrës Marshall në të gjitha fushat e qeverisjes dhe jam krenar që një prej tyre ishte apo është profesore në Qendrën Marshall gjatë 12 viteve të fundit, zëvendësuar nga një e re, kështu që urime!
Qendra Marshall ka qenë gjithmonë e gatshme për të ndihmuar qeverinë shqiptare në projekte të rëndësishme, ku bën pjesë edhe mbështetja në hartimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare.
Jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e madhe të Qendrës Marshall dhe të qeverisë amerikane e gjermane gjatë 30 viteve të fundit, me qëllim rritjen e kapaciteteve tona në fushat e sigurisë, mbrojtjes, demokratizimit dhe të forcimit të qëndrueshmërisë sonë kombëtare.
Faleminderit!