05/09/2023• Fjalime• Bianka Hada
E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,
I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar Deputetë!
Më lejoni t’i uroj përfaqësuesve tanë, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, një fillim të mbarë të sesionit të ri parlamentar!
Përfitoj nga rasti të shpreh vlerësimin tim për punën dhe iniciativat tuaja, në mazhorancë apo opozitë, të cilat kanë bërë që Shqipëria të jetë sot shumë më ndryshe krahasuar qoftë edhe me më pak vite më parë.
Dëshiroj të nënvizoj se çelja e këtij sesioni parlamentar e gjen Shqipërinë para sfidave të mbartura, të evoluara apo të reja, për zgjidhjen e të cilave Kuvendi ka një rol thelbësor.
E para dhe më e rëndësishmja është një sfidë po aq e vjetër sa demokracia shqiptare, ajo e cilësisë së dialogut politik, që i ka themelet në këtë Kuvend. Cilësia e shkëmbimeve të ideve mes krahëve politike, po aq sa përfshirja në diskutime konstruktive, fatkeqësisht lë ende shumë për të dëshiruar. Ky nuk është thjesht një vrojtim institucional si President i vendit, por një opinion i njëzëshëm i shqiptarëve kudo që ndodhen.
Me këtë rast, dua t’ju përcjell kërkesën e qytetarëve tanë, të cilët kanë nevojë që t’ju shohin e t’ju dëgjojnë tek diskutoni për të tashmen e të ardhmen e tyre, pa humbur kohë me personalizimin e debateve dhe fyerje reciproke, skena këto që i zhgënjejnë, i bëjnë pesimist dhe i distancojnë ata nga politika.
Thirrja ime është e thjeshtë: kthejeni Kuvendin në hapësirën e pajtimit dhe në vendin e debateve konstruktive, ku profesionistë të ndryshëm, media, studentët, shoqëria civile, diaspora dhe përfaqësuesit e shtresave të ndryshme sociale e të pakicave kombëtare, të kenë dëshirë të përfshihen për t’i dhënë një shtysë të fortë reformave për integrimin evropian dhe zhvillimin social- ekonomik të vendit.
Shqipëria prej vitesh po përballet me një problem serioz, atë të emigrimit të të rinjve dhe të shtetasve të mirëedukuar e mirëkualifikuar. Emigrimi mbetet problem shqetësues, përderisa edhe diferenca midis atyre që emigrojnë dhe atyre që rikthehen është akoma në nivele shqetësuese.
Kemi zona në të cilat banorët kanë shumë pak mundësi për të ndërtuar jetën, ndaj dhe janë të detyruar të zhvendosen brenda vendit në qytete që ofrojnë më shumë mundësi dhe kur nuk i gjejnë ato fatkeqësisht largohen jashtë vendit.
Në këto kushte duhen ndërmarrë iniciativa ligjore për një zhvillim të qëndrueshëm në fushat prioritare dhe në sektorët strategjikë të ekonomisë së vendit, jo duke plotësuar vetëm nevojat aktuale të shoqërisë, por duke mbajtur në konsideratë edhe brezat e ardhshëm.
Promovimi i rritjes ekonomike gjithpërfshirëse, me qëllim që të përfitojnë të gjithë shqiptarët kërkon konkurrencë të ndershme, çmime të pranueshme, shërbime cilësore dhe personel të mirëedukuar dhe të mirëkualifikuar.
Ndaj, është momenti për të planifikuar në terma afatgjatë, duke u fokusuar tek arsimi e edukimi cilësor, sidomos tek ai profesional, si dhe tek kërkimi shkencor.
Nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm, do të ngushtohej hendeku ekonomik midis shtresave, do të rritej mirëqenia dhe do të sigurohej një jetesë dinjitoze për të gjitha shtresat e shoqërisë. Në këtë mënyrë do të kishim edhe kohezion social.
Të nderuar Deputetë!
Problemeve të zhvillimit ekonomik apo të mosshfrytëzimit të potencialit tonë territorial në disa zona, i shtohen edhe problemet me sistemin arsimor, shëndetësor, si dhe të shërbimeve administrative e sociale.
Shëndetësia mbetet në kërkim të rrugës së zhvillimit të qëndrueshëm që fillon me ofrimin në kohë dhe me cilësi të shërbimeve për qytetarët, vlerësimin e figurës së mjekut e infermierit, si dhe me infrastrukturën e cilësinë e ambienteve mjekësore.
Arsimi ka përmirësime të dukshme në disa nivele, por e konsideroj tashmë nevojë urgjente përmirësimin e mësimit të gjuhës sonë amtare në shkollat publike apo në institucionet private.
Për këtë nevojitet edhe një bashkërendim e koordinim mes akademikëve e gjuhëtarëve nga të gjitha trevat shqiptare. Duhet të krijojmë e të mbështesim mekanizmat e duhur që promovojnë gjuhën dhe librin shqip, si dhe të mbrojmë gjuhën amtare nga ndikimi i zhvillimit teknologjik, inteligjenca artificiale, globalizmi dhe nga ndikimi i gjuhëve të tjera.
Një çështje tjetër e rëndësishme është zhvillimi i shkencës dhe i kërkimit shkencor. Niveli shkencor dhe cilësia e hulumtimit në universitetet tona ka lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Janë shumë të paktë qytetarët që e vlerësojnë si konkurrues arsimin universitar shqiptar, sikurse janë të paktë të mirëedukuarit e rinj shqiptarë që do të donin të ktheheshin e të punonin në fushën e kërkimit shkencor në universtitetet tona.
Arsimi shqiptar ka nevojë për politika të vazhdueshme në mbështetje të cilësisë së mësimdhënies dhe nxënësve, studentëve e akademikëve. Kuvendi me përfshirjen e të gjitha palëve duhet të kthejë çështjen e nivelit të edukimit dhe të kërkimit shkencor në prioritet kombëtar. Niveli i edukimit nuk duhet të njohë krah politik. Le të ndërtojmë një bashkëbisedim në nivel kombëtar, duke u fokusuar në hartimin e strategjive afatshkurtra e afatgjata në këtë fushë.
Një çështje e rëndësishme në nivel kombëtar mbetet barazia gjinore. Në nivel përfaqësimi, sektori publik ka hedhur hapa pozitivë dhe ky shembull duhet të nxitet edhe në sektorin privat.
Përmirësimi i legjislacionit për barazinë gjinore nuk e ka ndryshuar situatën e grave në vështirësi ekonomike dhe keqtrajtimi e dhuna mbeten prezente.
Nuk mund të lë pa përmendur lirinë e medias, e cila luan një rol thelbësor në një shtet demokratik. Nëse dëshirojmë të kemi një brez gazetarësh të paanshëm për informimin e opinionit publik, ata duhet të kenë çdo mundësi të raportojnë të lirë, si punën e organeve publike, ashtu edhe problematikat e qytetarëve.
Është detyrim i gjithsecilit prej nesh që t’i përgjigjemi sa herë na adresohen, por edhe t’i mbajmë të informuar vazhdimisht. Raporti i institucioneve publike me mediat duhet të jetë konstruktiv dhe i qëndrueshëm.
Të nderuar Deputetë!
Më lejoni gjithashtu të sjell në vëmendjen tuaj edhe tri sfida të tjera të rëndësishme: atë të drejtësisë, sigurisë dhe të politikës së jashtme.
Duke e filluar nga drejtësia, unë dhe të gjithë shqiptarët duam që reforma në drejtësi të vijojë, të forcohet dhe të japë rezultate konkrete. Rezultatet e reformës në drejtësi janë të dukshme dhe është e domosdoshme që të gjitha forcat politike dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, njëzëri të ofrojnë mbështetje për përparimin e kësaj reforme që i vendos fjalën epilog tranzicionit dhe shënjon një vijë të qartë ndarëse mes të kaluarës dhe së ardhmes.
Korrupsioni, i pandalur këto 30 vite, nuk ka ngjyrë e krah politik, ai mund të jetë një problem individual, por rëndon mbi tërësinë e sistemit demokratik, duke krijuar një imazh jo të përshtatshëm për Shqipërinë.
Shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit duhet të jenë çështje jo vetëm të agjencive ligjzbatuese, por duhet të mbështeten thelbësisht nga Kuvendi përmes nismave që synojnë identifikimin, parandalimin dhe ndëshkimin e fenomeneve korruptive që privojnë dhënien dhe garantimin e të drejtave themelore të qytetarëve dhe bizneseve.
Siç e dini të nderuar deputetë, sfidat e sigurisë, të cilat kanë ndikuar drejtpërsëdrejti vendin dhe rajonin tonë janë të mprehta.Ato kanë të bëjnë me problemet e hershme të rajonit dhe me rrethanat e reja gjeopolitike, sikurse lufta në Ukrainë, zhvillimet e shpejta teknologjike dhe përdorimi i tyre me qëllime jo gjithnjë të mira.
Sfidat e sigurisë po bëhen akoma edhe më të mprehta dhe përballimi i tyre kërkon bashkërendim përpjekjesh dhe gjithpërfshirje. Në këtë sesion të ri parlamentar ju ftoj të fokusoheni në hartimin dhe miratimin e ligjeve, si dhe të dokumenteve për sigurinë kombëtare.
Një nga sfidat e sigurisë që dua të veçoj është siguria kibernetike. Sulmet e përsëritura kanë treguar se jemi ende të brishtë ndaj luftës hibride dhe mbrojtjes së kufijve në sistemet digjitale. Ju ftoj të rishikoni dhe të hartoni dokumente strategjike, si Strategjia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike, si dhe të miratoni akte konkrete për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e vlerave dhe interesave kombëtare.
Në kuadrin e sfidave të sigurisë dhe të politikës së jashtme, gjej rastin të ripërsëris se Aleanca Euroatlantike është boshti dhe themeli i politikës sonë të jashtme dhe asaj të mbrojtjes. Për sa kemi mishëruar si alternativën e vetme të së ardhmes sonë, integrimi evropian është dhe mbetet prioritet strategjik.
Ju ftoj të rrisni më tej përkushtimin për të konsoliduar procesin e reformave të lidhura me axhendën evropiane. Në këtë drejtim roli dhe përgjegjësitë e Kuvendit mbeten të patjetërsueshme për përparimin e kësaj axhende dhe për përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së.
Orientimi ynë i qartë euroatlantik është një shtysë më tepër për të qenë faktor paqeje e mirëqenieje në rajon, ku Shqipëria qëndron e vendosur në mbështetje të integritetit territorial të Kosovës dhe të së ardhmes së saj euroatlantike, sikurse edhe ndaj faktorit shqiptar në tërësi. Ndaj, një ndërveprim edhe më i ngushtë bazuar në interesat kombëtarë është i nevojshëm në këtë drejtim.
Në sesionin e ri parlamentar ju ftoj në aktivizimin më të madh të diplomacisë parlamentare, veçanërisht në forcimin e faktorit shqiptar në rajon, i cili është element kyç në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi, me frymë e vizion euroatlantik, në mënyrë që shqiptarët kudo që jetojnë në rajon të gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre.
Të nderuar Deputetë!
Së fundi, shpresoj në aktivizimin eficient të rolit mbikëqyrës të parlamentit ndaj organeve ligjzbatuese, atyre të sigurisë dhe të ekzekutivit në të gjitha fushat.
Duke forcuar këto aspekte të punës suaj, besoj se Kuvendi do të përmbushë më së miri rolin e tij për përmirësimin e legjislacionit dhe për përfaqësimin dinjitoz të interesave të çdo qytetari shqiptar. Në këtë kontekst, një rëndësi të veçantë merr përfaqësimi i vullnetit i të gjithë qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë për të zgjedhur.
Diaspora shqiptare është aset i vyer i vendit. Bashkëkombësit tanë jashtë vendit meritojnë të jenë të integruar plotësisht në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Në këtë aspekt, Qeveria, Parlamenti, bashkë me Institucionin e Presidentit, duhet të bashkërendojnë forcat që diaspora të kthehet në burim zhvillimi për vendin.
Një hap themelor në këtë drejtim është marrëveshja për kuadrin ligjor, që do të realizoj bërjen realitet të votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, jo më vonë se në zgjedhjet e ardhshme.
Së fundmi, dua t’ju shpreh mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin tuaj politik e publik, si dhe t’ju lë me kërkesën për përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.
Suksese!