30/01/2024• Fjalime• Bianka Hada
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Ju falënderoj që më ftuat të përshëndes pjesëmarrësit e nismës “Rrjeti i qyteteve të Ballkanit”.
Nisma juaj, “Rrjeti i qyteteve ballkanike”, është një angazhim serioz për bashkëpunim rajonal dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ajo përbën një vlerë të shtuar në marrëdhëniet tona, sepse krijon mundësi për bashkëpunim në nivelin lokal.
Rrjeti juaj i ka të gjitha mundësitë të jetë shembull suksesi për një të ardhme të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Rajoni i Ballkanit është i pasur me histori dhe diversitet kulturor. Në Ballkan gjen shkrirjen e shumë kulturave, ideve dhe inovacioneve. Kontributi i ballkanasve në historinë e qytetërimit, jo vetëm europian, por edhe të mbarë njerëzimit, është i padiskutueshëm dhe unikal.
Ballkani ka nevojë për më shumë bashkëpunim me njëri-tjetrin, për më shumë ndërlidhje, për më shumë dialog, që i sheh problemet si mundësi zhvillimi dhe përqendrohet tek ajo që na bashkon.
Në këtë kontekst, qeverisja lokale luan një rol të rëndësishëm. Ky është niveli ku politikat e ndërmarra ndihen drejtpërdrejtë nga qytetarët. Kjo nënkupton qeverisje lokale më të ndjeshme ndaj ambientit, më transparente, me demokraci të kapilarizuar e llogaridhënie të konsoliduar.
Ju, të nderuar kryebashkiakë, bashkë me ekipet tuaja, administroni jo vetëm qendrat më të populluara të rajonit, por edhe motorët kryesorë politikë, ekonomikë e kulturorë. Shumë prej qyteteve pjesëmarrëse janë aktorë të rëndësishëm globalë, si në ekonomi, edhe në sfera të tjera të rëndësishme. Puna juaj është e një rëndësie të veçantë.
Në këtë këndvështrim, dëshiroj të theksoj tri aspekte:
Së pari, qeverisja demokratike dhe transparente. Nuk mund të ketë mirëqeverisje pa u dëgjuar të gjithë zërat në vendimmarrje.
Së dyti, ulja e varfërisë dhe qëndrueshmëria. Me këtë nënkuptoj se i gjithë komuniteti duhet të jetë pjesë e politikave tuaja zhvillimore. Askush nuk duhet të ndihet i përjashtuar, dhe kjo fillon në nivelin lokal.
Së treti, përgatitjen për rreziqe të paparashikuara. Pandemia, ndryshimet e pamohueshme klimatike, migracioni, transformimi teknologjik dhe sfida të tjera kërkojnë një administrim efikas, sistem të mirë shëndetësor, infrastrukturë të duhur dhe aftësi për t’u përshtatur.
Të nderuar miq,
Jam i lumtur që jeni sot në Tiranë. Ky qytet mishëron zhvillimin e vrullshëm që vjen si pasojë e urbanizimit dhe lëvizjeve të mëdha demografike në vendin tonë. Këtu aktualisht jeton afro 1/3-a e popullsisë dhe realizohet gati gjysma e prodhimit të vendit. Nga viti 2019 Tirana ka përjetuar dy tërmete, një pandemi, lëvizje tektonike demografike dhe një bum ekonomik.
Tirana është dilema midis zhvillimit ekonomik të menjëhershëm dhe kujdesit afatgjatë për mjedisin. Midis nevojave imediate të brezit të sotëm dhe nevojave të brezave që do të pasojnë nesër, gjetja e një balance nuk është e lehtë.
Megjithatë, Tirana, gjatë 10 viteve të fundit (nën drejtimin e Erionit), ka treguar se di të gjejë balancën midis zhvillimit ekonomik dhe qëndrueshmërisë midis përtëritjes kulturore dhe inovacionit teknologjik, midis traditës dhe të resë.
Natyrisht, ka ende shumë për të bërë, sepse pritshmëritë e qytetarëve tanë ecin paralelisht me zhvillimin e qytetit. Bashkë me to, duhet zhvilluar edhe vizioni i administrimit të qytetit. Ndonjëherë kjo nuk është çështje sasie, por cilësie, ndaj shërbimet duhet të jenë cilësore dhe vizioni i qartë, sepse çdo vendimmarrje prek jo vetëm të tashmen, por orienton edhe të ardhmen.
Qytetet tona në shekullin e njëzet e një duhet të jenë më shumë se sa qendra ekonomike dhe industriale. Ato duhet të jenë, pikë së pari, hapësira ku mirëqenia e individit është prioritet, ku harmonia me mjedisin nuk është opsion, por nevojë.
Le të mësojmë nga njëri-tjetri, të shkëmbejmë përvoja dhe të ndërtojmë projekte bashkëpunimi që sjellin rezultate konkrete në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.
Ju faleminderit!