Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Gramsh 5

Fjalime

Fjala e Presidentit Begaj në ceremoninë hapëse të “Gusht e n’Fest”

Të nderuar banorë të Gramshit, miq e të ftuar pjesëmarrës,

I nderuar Kryetar i Bashkisë,

Të nderuar autoritete lokale,

Mirë se ju gjej!

Faleminderit shumë për këto emocione të veçanta të ditës së sotme!

“Gusht e n’Fest” është një traditë feste, hareje dhe argëtimi për zonën tuaj, një rast i bukur për t’u mbledhur dhe për të gëzuar të gjithë së bashku, një mundësi më shumë për të njohur e promovuar mikpritjen e zonës. Është gjithashtu një rast shumë i mirë për të shijuar e për t’u mahnitur me natyrën, me bukuritë e dhuruara nga Zoti dhe nga ato të bëra nga dora e gramshiotëve mjaft punëtorë.

Mikpritja dhe bujaria gramshiote e meriton të lartësohet gjithnjë e më shumë dhe në këtë drejtim “Gusht n’Festë” është një tribut i çmuar ndaj vlerave njerëzore që duhet t’i vlerësojmë me respekt që të gjithë.

Përgëzime autoriteteve dhe biznesit vendas për organizimin e këtij aktiviteti me oferta dhe mundësi të larmishme promovuese të vlerave të zonës për të gjitha moshat dhe interesat.

E pranova menjëherë ftesën me shumë kënaqësi për të marrë pjesë së bashku me ju në ceremoninë hapëse të këtij aktiviteti. Së pari, sepse vij t’ju përshëndes e të takohem me ju. Së dyti, sepse dua që së bashku me ju ta përcjell këtë festë të bukur tuajën te çdo familje shqiptare.

Infrastruktura e re rrugore e ka sjellë Gramshin më pranë dhe ka mundësuar mbarë Shqipërinë dhe vizitorët e huaj që të zbulojnë bukuritë e natyrës së zonës, magjepsjen nga kanionet, ujëvarat, liqenet, traditat historike e kulturore dhe kulinarinë plot shije, të gjitha këto të zbukuruara nga mikpritja e ngrohtë gramshiote.

Gramshi ofron të gjitha kushtet për të zhvilluar edhe më tej turizmin e qëndrueshëm, një turizëm që teksa ofron më të mirën për vizitorët, e bën këtë duke mbajtur mirë parasysh perspektivën e zhvillimit të zonës duke respektuar natyrën, traditat, e mbi të gjitha duke respektuar komunitetin.

Jemi sot këtu gjithashtu në këtë nismë kaq interesante të Bashkisë së Gramshit për të promovuar zejet dhe punimet artizane të zonjave duararta të këtij qyteti. Për ne, mbështetja e trashëgimisë kulturore nënkupton promovimin dhe vënien në dukje të rëndësisë së saj.

Të qenit pjesë e këtij panairi nuk na ndihmon thjesht vetëm të njohim edhe më shumë atë që zotërojmë në traditën tonë kulinare, agroturistike, kulturore, por njëkohësisht ta ruajmë, ta vlerësojmë, ta nxisim dhe ta përcjellim te brezat e rinj.

Dëshiroj gjithashtu të përgëzoj investitorët gramshiotë që kanë ditur t’i japin përgjigjen më të mirë investimit dhe besimit publik në mundësitë, vlerat dhe në potencialin e pashtershëm të kësaj zone.

Respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që kanë shtuar mundësitë për një jetë më të mirë të banorëve të Gramshit me një ofertë turistike të veçantë dhe autentike.

Të nderuar banorë të Gramshit!

Ju jeni mbledhur të gëzoni, të çmalleni e të shijoni këto ditë të mbushura me aktivitete argëtuese.

Ju uroj çdo të mirë në familjet tuaja dhe shumë edicione të suksesshme të këtij aktiviteti!

Festime të gëzuara!