13/02/2024• Fjalime• Bianka Hada
Zoti Ministër i Mbrojtjes,
Zoti Shef i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Kingji,
Zoti Komandant i Forcave Tokësore, Gjeneral Xhebexhia
Të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë,
Kam kënaqësinë të jem sot i pranishëm në stërvitjen e Grup-Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë.
Kjo stërvitje është tregues i qartë i shkallës së lartë të përgatitjes, aftësisë dhe gatishmërisë së Forcave të Armatosura në përmbushje të misionit kushtetues për mbrojtjen e vendit dhe kontributit në mbrojtjen kolektive.
Njësia juaj tashmë është e certifikuar nga NATO dhe konsiderohet si forcë e gatshme për dislokim dhe operim në ndërveprim të plotë me aleatët tanë.
Gjatë kësaj stërvitjeje ju testuat kapacitetet operacionale dhe pajisjet e reja në kushtet e motit të ftohtë.
Në këtë mënyrë, do të dëshmoni aftësitë operacionale për të vepruar dhe kryer operacione luftarake në çdo lloj terreni gjeografik dhe në çdo lloj rrethane.
Nga ana tjetër, stërvitja e grup-batalionit tregon se Shqipëria është e gatshme dhe e aftë për t’u mbrojtur dhe për të kontribuar aktivisht në mbrojtjen kolektive, sidomos në krahun juglindor të NATO-s.
Kjo stërvitje kryhet në të njëjtën kohë me zhvillimin e stërvitjes më të madhe ushtarake të NATO-s prej dekadash, “Steadfast Defender 24”.
Nëpërmjet kësaj stërvitjeje, NATO po tregon se është një aleancë e fuqishme, e aftë dhe e gatshme për të mbrojtur popullsinë dhe territorin e vendeve anëtare në hapësirën Euro-Atlantike nga të gjitha kërcënimet, në një qasje 360 gradë.
Ndaj, është me rëndësi që edhe Forcat tona të Armatosura të jenë në lartësinë e sfidave të kohës.
Jo shumë larg nga këtu, prej dy vjetësh, vijon agresioni i paligjshëm rus ndaj Ukrainës.
Qëndresa dhe heroizmi i ushtrisë dhe popullit ukrainas janë burim frymëzimi në mbrojtje të vlerave të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë.
Shqipëria do vijojë të mbështesë Ukrainën, në koordinim të plotë me partnerët strategjikë dhe NATO-n.
Ndërkohë, situata në Lindjen e Mesme është e rënduar dhe rrezikon përfshirjen e aktorëve të tjerë. Rreziku nga përshkallëzimi i këtyre vatrave të nxehta është real.
Edhe rajoni ynë, Ballkani Perëndimor, i cili ka vuajtur nga historia e konflikteve dhe përplasjeve ka një situatë sigurie të brishtë.
Aktorë me ambicie gjeo-politike kundër vlerave Euro-Atlantike mund të shfrytëzojnë dobësitë dhe aleancat ideologjike apo etnike në rajon për të hapur vatra të reja konflikti.
Prej më shumë se një viti, siguria në veri të Republikës së Kosovës është cenuar disa herë.
Goditja ndaj trupave të KFOR-it dhe akti terrorist në Banjskë pak muaj më parë ishin provokim dhe rrezik serioz kundër paqes dhe stabilitetit në rajon.
Konsolidimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe roli i NATO-s, nëpërmjet misionit KFOR, janë thelbësor për garantimin e sigurisë.
Shqipëria qëndron gjithnjë krah Kosovës në rrugëtimin e saj si shteti më i ri i Evropës.
Ne e bëjmë këtë, jo thjesht se jemi dy shtete të një kombi, vëllezër të një gjaku, por sepse mbështetja për Kosovën është mbështetje për sigurinë, paqen dhe të ardhmen në rajon.
Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe anekset e saj në Ohër janë rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe njohjes reciproke.
Në këtë kontekst, stërvitja juaj merr një tjetër kuptim dhe rëndësi. Ju, si pjesëmarrës në këtë stërvitje, dhe e gjithë trupa e Forcave të Armatosura, jeni vija e parë e mbrojtjes dhe garantimit të sigurisë dhe paqes.
Roli juaj për Shqipërinë dhe shqiptarët është jo vetëm jetik, por edhe strategjik.
Shqipëria ka qenë dhe mbetet Euro-Atlantike në frymë dhe në veprim.
Si popull historikisht paqedashës, orientimi ynë është paqja dhe siguria, ndaj sot është me rëndësi jo vetëm solidariteti me vlerar e vendeve të tjera anëtare, por edhe forcimi i mëtejshëm i lidhjeve transatlantike.
NATO, që këtë vit feston 75-vjetorin, është mishërim i mbrojtjes kolektive të një komuniteti vlerash, ku Shqipëria ka nderin të jetë pjesë.
Forcat tona të Armatosura janë zhvilluar shumë që nga koha e anëtarësimit në Aleancë. Vijimi i modernizimit të tyre sot është çështje e sigurisë kombëtare.
Kjo i jep vlerë edhe faktit që buxheti për mbrojtjen është në masën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së).
Fondet duhen shpenzuar me eficiencë për të siguruar rritje cilësore të kapaciteteve të Forcave të Armatosura.
Vlerësoj çdo iniciativë në drejtim të mbështetjes së sigurimit të mirëqenies së personelit të Forcave të Armatosura, sepse për mbrojtjen e vendit nuk shpenzohet, por investohet për sigurimin e të tashmes dhe të së ardhmes.
Krahas aspektit financiar, dëshiroj të prek edhe aspektin e imazhit dhe mesazhit që Forcat e Armatosura përcjellin në publik.
Ky imazh dhe mesazh ka nevojë të përditësohet. Forcat tona të Armatosura janë zhvilluar shumë herë krahasuar me 15 vite më parë.
Ky imazh dhe mesazh duhet të reflektojë ndryshimet që kanë ndodhur dhe të përcjellë modernizimin, rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe misionin mbrojtës dhe paqeruajtës.
Mbi të gjitha duhet të transmetojë misionin thellësisht patriotik që ju përmbushni. Ky komunikim duhet të ndodhë sidomos me brezin e ri.
Të jesh pjesë e Forcave të Armatosura sot nuk është thjesht një profesion, është çështje krenarie kombëtare dhe patriotizmi.
Këtë vit Shqipëria feston 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO, një histori suksesi që vjen falë kontributit, përkushtimit dhe profesionalizmit tuaj kudo ku keni shërbyer dhe na bënni. të ndihemi krenarë.
Në mbyllje, dëshiroj të shpreh respektin për punën dhe sakrificat tuaja, për përgjegjshmërinë e lartë që tregoni çdo ditë dhe për faktin se, pavarësisht vështirësive, ju vijoni ta kryeni me nder detyrën në shërbim të atdheut.
Ju faleminderit!