Presidenti i Republikës së Shqipërisë

ZP 2 scaled

Aktivitetet

Fjala e Zonjës së Parë, Armanda Begaj, në takimin me përfaqësuesit e projektit të ADA “Zgjerimi i Zgjedhjeve”

Zonja e Parë, Armanda Begaj së bashku me Zonjën e Parë të Austrisë, Doris Schmidauer, morën pjesë në një takim me përfaqësues të projektit të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA): “Zgjerimi i Zgjedhjeve: Politikat Familjare të përgjegjshme gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi”. Më poshtë fjala e plotë e mbajtur nga zonja Begaj:

 

Përshëndetje të gjithëve,

E nderuara Znj. Schmidauer/ E dashur Doris,

Jam shumë e lumtur që jemi mbledhur sot këtu, për të folur për një çështje kaq të rëndësishme.

Gratë kanë një rol shumë thelbësor. Ne mbajmë përgjegjësinë për të sjellë një jetë të re në botën tonë, duke qenë gjithashtu pjesëtare produktive të shoqërisë. Por shumë shpesh gratë e kanë të vështirë t’i zhvillojnë këto dy dimensione paralelisht ashtu siç dëshirojnë, për shkak të mungesës së kushteve të duhura dhe mbështetjes së kufizuar.

Ky është një problem shumë jetik, pasi shoqëria në tërësi e saj ka nevojë për kontribut dhe fuqi punëtore, për të cilat gratë janë më se të afta dhe të kualifikuara. Kjo është një çështje globale, por është më e pranishme në vendet në zhvillim.

Shifrat nuk gënjejnë: “Rreth gjashtë në dhjetë gra shqiptare e kanë të vështirë të kombinojnë punën e paguar me aktivitetet e kujdesit në shtëpi”, dhe për këtë arsye detyrohen të bëjnë një zgjedhje.

Prandaj është shumë e nevojshme të flitet për gruan dhe fuqizimin e rolit të saj në shoqërinë tonë, por është edhe më e nevojshme të veprohet. Projekte si “Expanding Choices” që fokusohen në politikat familjare të përgjegjshme gjinore, ndërkohë që mbështesin gratë për të avancuar më tej karrierën e tyre, e trajtojnë këtë problem jo vetëm duke rritur ndërgjegjësimin, por edhe duke vepruar dhe duke bërë ndryshime reale dhe të dukshme.

Çdo ndryshim është një hap përpara në luftën për barazi gjinore, dhe duke krijuar mundësi të barabarta po ndihmojmë jo vetëm gratë, por gjithë shoqërinë tonë.

Ne kemi nevojë për koordinimin e të gjithë aktorëve: institucioneve publike, sektorit privat, organizatave dhe agjencive të ndryshme, për të krijuar projekte dhe politika si kjo për të cilën jemi mbledhur këtu, të cilat do t’i ndihmonin gratë të arrijnë potencialin e tyre dhe të realizojnë ambiciet e tyre profesionale, pa sakrifikuar prioritetet e tyre familjare.

Sepse gratë nuk duhet të zgjedhin kurrë njërën mbi tjetrën, ato duhet të kenë mundësinë t’i bëjnë të dyja!

Falenderoj të gjithë të pranishmit këtu sot, Agjencinë Austriake të Zhvillimit dhe UNFPA për punën e tyre në Shqipëri dhe uroj që projekte të tilla të zgjerohen më shumë!

Faleminderit!