Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Foto 4 njoftim

Deklarata

Deklaratë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj

Përshëndetje të gjithëve,

Së pari, dëshiroj t’i shpreh Presidentes së Republikës së Sllovenisë, zonjës Natasha Pirc Musar, falënderimet për ftesën, dhe për mikpritjen shumë të ngrohtë e miqësore që më rezervoi mua dhe delegacionit që më shoqëron.

Që në fillim të takimit nënvizova interesin e madh të Shqipërisë, për të thelluar bashkëpunimin me Slloveninë, si në aspektin dypalësh ashtu edhe në atë rajonal.

Lidhur me këtë të fundit, shpreha mirënjohjen për rolin shumë të rëndësishëm që Sllovenia dhe Presidentja Pirc Musar luajnë për stabilitetin, nxitjen e frymës së bashkëpunimit dhe zhvillimin e këtij rajoni.

Nënvizova, se momenti i kësaj vizite përkon me zhvillime shumë të rëndësishme si për rajonin tonë ashtu edhe për mbarë botën, të ndikuara nga agresioni rus në Ukrainë dhe zhvillimet e rëndësishme gjeopolitike.

Me Presidenten Pirc Musar ndamë pikëpamjen, se marrëdhëniet midis dy vendeve janë shumë të mira dhe se dialogu politik është në nivelet më të larta, gjë që e tregon edhe kjo vizitë e imja sot këtu.

Ne e konsiderojmë Slloveninë një partnere të rëndësishme rajonale dhe evropiane. Shpreha mirënjohje të veçantë për mbështetjen thelbësore dhe të vazhdueshme që Sllovenia i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në veçanti, si edhe procesit të zgjerimit me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi.

Vlerësova gjithashtu rolin domethënës që Sllovenia, përmes Procesit të Brdo-Brijunit, por edhe të Forumit Strategjik të Bledit, ka dhënë për mbajtjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor në vëmendjen e axhendës së Bashkimit Evopian.

Së bashku me Presidenten Pirc Musar ndamë mendimin, se për shkak të zhvillimeve të fundme  gjeopolitike, por falë edhe kontributit të Sllovenisë e Grupit të Vendeve Mike të Ballkanit Perëndimor në forumet e përmendura më lart, sot kemi një qasje të re të Bashkimit Evropian ndaj procesit të zgjerimit me vendet e rajonit tonë. Procesi i integrimit nuk konsiderohet më thjesht si një çështje teknike, por edhe si një zgjedhje e vizion strategjik.

Shpreha miënjohjen për rolin e  Sllovenisë, në mënyrë të veçantë për angazhimin e Presidentes Pirc Musar, në mbështetje të stabilitetit, sigurisë, mirëkuptimit, dialogut dhe prosperitetit ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shpreha besimin, se mbështetja e Sllovenisë në këtë drejtim do të vijojë edhe më e fortë dhe më e qenësishme.

Duhet të vijojmë të bashkëpunojmë ngushtë të lidhur nga partneriteti ynë në NATO dhe interesat e përbashkëta strategjike në rajonin tonë, dhe më gjerë.

Shpreha mirënjohjen e thellë për solidaritetin dhe mbështetjen e Sllovenisë për të kapërcyer pasojat e tërmetit shkatërrimtar të nëntorit të vitit 2019, e në veçanti për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare në rrethin e Krujës.

Sigurisht, që një vëmendje të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit ekonomik dhe nevojës së nxitjes më të madhe të tij.

Vërejmë me kënaqësi një prirje në rritje të këtij bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, ku padyshim turizmi zë një vend shumë të rëndësishëm.

E sigurova Presidenten Pirc Musar, që Shqipëria është e interesuar për më shumë investime sllovene në Shqipëri, duke evidentuar progresin e bërë dhe të vlerësuar nga organizata ndërkombëtare, në drejtim të lirisë ekonomike dhe konkurrencës.

Gjithashtu, kërkova nga Presidentja, që të ndikojë sa mundet nw rivendosjen e linjës ajrore direkte Lubjanë-Tiranë, linjë e cila  në të shkuarën ka qenë shumë e suksesshme, mund t’i japë një shtytje më të madhe bashkëpunimit në fushën e turizmit, por edhe ndërveprimit të bizneseve.

U ndalëm edhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë, ku një vend të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kulturës, me interesin për të harmonizuar bashkëpunimin në këto fusha.

Falënderova Presidenten Pirc Musar  për mirë integrimin e diasporës shqiptare në Slloveni, falë kuadrit ligjor të miratuar dhe mundësive për të ruajtur identitetin kombëtar, si dhe gjuhën e kulturën amëtare. Shpreha kënaqësinë që ky integrim po manifestohet edhe në fushën e politikës ku shumë qytetarë me origjinë shqiptare janë sot të zgjedhur  në këshillat e ndryshme bashkiake në Slloveni.

Sigurisht, që pjesë e bisedave tona ishte dhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë, për të cilën e njoha Presidenten Pirc Musa, mbi kontributin e dhënë nga Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe nënvizova se Shqipëria është e palëkundur në mbështetje të Ukrainës.

Në fund, por jo për nga rëndësia, e ftova Presidenten Pirc Musar, për një vizitë zyrtare në Shqipëri, me dëshirën për të forcuar bashkëpunimin midis dy vendeve tona.

Faleminderit!