Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 20230427 WA0021

Deklarata

Deklaratë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj

Përshëndetje të gjithëve!

Së pari, më lejoni që në këtë konferencë të përbashkët shtypi të falënderoj mikpritësin dhe mikun tim, Presidentin e Republikës së Kroacisë, zotin Zoran Milanoviç, për pritjen e përzemërt që më ka bërë mua dhe delegacionit që më shoqëron.

Faleminderit Zoran!

Kjo është vizita e dytë e imja si President i Republikës së Shqipërisë jashtë vendit pas asaj të Kosovës, e cila për mua ka një rëndësi të madhe e mjaft domethënëse.

Vizita ime në Kroaci është e rëndësishme në kuadër të marrëdhënieve midis dy vendeve, si në kuadër të zhvillimeve rajonale, ashtu edhe në kuadër të zhvillimeve evropiane e më gjerë.

Me Presidentin Milanoviç pata kënaqësinë të zhvilloj një bisedë të gjatë, të veçantë e miqësore, ku fokusi kryesor ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh, agjenda e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe zhvillimet rajonale.

Ndamë pikëpamjen e përbashkët se marrëdhëniet shqiptaro-kroate sot janë në ditën e tyre më të mirë falë marrëdhënieve të shkëlqyera historike dhe tradicionalisht miqësore midis dy vendeve e dy popujve tanë.

Ata kanë në themel të tyre prioritetet e politikës së jashtme të dy vendeve tona dhe vizionin e përbashkët për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Dokumenti i partneritetit strategjik i firmosur midis dy vendeve, i ka dhënë një dinamikë të re marrëdhënieve midis dy vendeve.

Marrëdhëniet tona festuan vitin që shkoi 30-vjetorin dhe vlerësova se në këto tri dekada kemi krijuar një kapital i cili është mjaft i mirë i bashkëpunimit politik, diplomatik dhe ekonomik.

Ndamë bindjen se pavarësisht nivelit të shkëlqyer të marrëdhënieve politike dypalëshe, prirjes dhe trendit të rritjes së marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, ende mbetet shumë për të bërë në drejtim të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

Kuadri ligjor nuk mungon,  kështu që vlerësova se në këtë drejtim duhet të bëjmë diçka më shumë.

E sigurova Presidentin Milanoviç se investimet dhe projektet kroate në Shqipëri janë të mirëpritura, veçanërisht në fushën e energjisë dhe të turizmit, ku Kroacia  ka një eksperiencë të jashtëzakonshme, po ashtu edhe në fushat e tjera si të infrastrukturës, bujqësisë dhe në fusha që kanë interes reciprok.

Për një ndërlidhje më të mirë midis dy vendeve në ndikim të drejtpërdrejtë në fushën e turizmit, ndamë mendimin se ka ardhur koha që të ketë një linjë ajrore direkte midis dy vendeve apo ndërlidhje midis porteve të dy vendeve.

Vlerësova se në raportet midis dy vendeve, në raportet historike e tradicionalisht miqësore, një rol të rëndësishëm ka luajtur diaspora shqiptare në Kroaci, diaspora e vjetër dhe ajo e re.

Me diasporën e vjetër për nga historia i referohem Arbanasve të Zarës (Zadarit), të vendosur në trojet kroate mbi 300 vjet më parë, të cilët falë mbështetjes së dhënë nga autoritetet kroate kanë ruajtur deri në ditën e sotme gjuhën, traditat dhe kulturën.

Ndërsa diaspora e re, e përbërë nga shqiptarë të cilët kanë ardhur nga të gjitha trevat shqiptare nga rajoni, ka gjetur këtu në Kroaci një atdhe të dytë, i cili i ka krijuar kushtet për një jetë plot dinjitet e me përfaqësim edhe në nivelet më të larta politike.

Ndjehem krenar kur dëgjoj se komuniteti shqiptar në Kroaci konsiderohet si një pjesë konstruktive dhe e përkushtuar e shoqërisë kroate.

Sot, ky komunitet përfaqësohet me një deputete shqiptare, kështu që faleminderit shumë e nderuar deputete për profilin publik të këtij komuniteti.

Vlerësuam se arritja së shpejti e një marrëveshjeje bilaterale për sigurimet shoqërore do të ndikojë më shumë në forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy popujve tanë.

Natyrisht që biseda jonë u përqendrua edhe në bashkëpunimin rajonal, në kuadër gjithashtu edhe të integrimit evropian të Shqipërisë.

Vlerësova në këtë të fundit që Kroacia mund të shërbejë si një model, si një shembull shumë i mirë për Shqipërinë dhe besoj po ashtu edhe për vendet e tjera të rajonit në këtë drejtim.

E përgëzova Presidentin Milanoviç për  anëtarësinë e Kroacisë në zonën Shengen dhe të Euros si i vetmi vend që i ka arritur të dyja këto në një moment, në të njëjtën ditë.

Shpreha mirënjohjen për vëmendjen dhe për ndihmën e veçantë që Kroacia i ka dhënë dhe i jep procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Si një iniciatore e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në vitin 2000, Kroacia ka qenë dhe mbetet një avokate e mirë dhe mbështetëse e madhe e procesit të zgjerimit dhe të anëtarësimit të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

E sigurova mikun tim Zoran se Shqipëria dhe institucionet e saj janë të përkushtuara për të përmbushur me sukses reformat e nevojshme duke e informuar për rezultatet konkrete dhe pritshmërinë për takimin e dytë ndërqeveritar midis BE-Shqipëri.

Gjithashtu nënvizova se Shqipëria është një partner  i besueshëm evropian përsa i përket politikës së saj të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.

Presidenti Milanoviç më siguroi se mbështetja, eksperienca dhe ekspertiza kroate nuk do të na mungojnë përgjatë këtij rrugëtimi.

Duke u ndalur te bashkëpunimi rajonal, vlerësova në mënyrë të veçantë mbështetjen e plotë që Presidenti Milanoviç dhe institucionet kroate i kanë dhënë Kosovës, si në kuadër të procesit të njohjeve, ashtu edhe në atë të anëtarësimit të saj në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare, por edhe për liberalizimin e vizave, një sukses që u arrit së fundmi.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, vlerësova rolin e Kroacisë dhe të Sllovenisë në procesin e Brdo-Brijunit, si platforma e vetme që i ka bërë bashkë në mënyrë të vazhdueshme, që i ka dhënë zë të gjithë krerëve të shteteve të rajonit për të avancuar idetë e qendrimet e tyre në drejtim të Bashkimit Evropian.

Shpreha besimin se kjo platformë duhet të vijojë edhe në të ardhmen me mbështetjen e plotë të Presidentit Milanoviç.

Gjithashtu, ndamë mendimin, si dy vende anëtare në NATO, se roli dhe angazhimi ynë i përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin në rajon është dhe mbetet mjaft i rëndësishëm.

Në këtë këndvështrim nënvizuam interesin e përbashkët dhe nevojën e një koordinimi midis nesh, që edhe Kosova të bëhet sa më parë pjesë e kësaj Aleance.

Lidhur me anëtarësimin e plotë të Kosovës në Aleancë, jam në një gjatësi vale me Presidentin Milanoviç, i cili ka vlerësuar se Kosova nuk është e dyzuar as ndaj NATO-s dhe as ndaj BE-së.

Shpreha mbështetjen e Shqipërisë për dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nënvizuar se zbatimi pa rezerva dhe i shpejtë i dakordësisë së rënë në Ohër për planin evropian, do t’i hapë rrugën normalizimit të marrëdhënieve dhe më pas një marrëveshjeje përfundimtare, të detyrueshme ligjërisht e të njohur ndërkombëtarisht, me në qendër njohjen e ndërsjellë midis dy vendeve.

Kjo do t’i shërbente rajonit, por jo vetëm.

Zhvillimet më të fundit gjeopolitike, pas agresionit të pajustifikuar rus ndaj Ukrainës, e bëjnë edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin tonë rajonal për çështjet e sigurisë, përfshirë edhe atë kibernetike e të sulmeve hibride.

Shqipëria është e palëkundur në mbështetje të Ukrainës edhe përmes rolit të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

E falënderova Presidentin Milanoviç për mbështetjen që Kroacia i dha kandidaturës së Shqipërisë për anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023, si dhe e sigurova për mbështetjen që Shqipëria do t’i japë kandidaturës së Kroacisë për anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2030-2031.

Dhe në fund, por jo nga rëndësia, për të vijuar këtë bashkëbisedim shumë domethënës që patëm sot, e ftova Presidentin Milanoviç për një vizitë zyrtare në Shqipëri, në momentin që ai do ta shikojë sa më të arsyeshme sipas agjendës.

Kjo agjendë do të jetë shumë e nevojshme për të çuar përpara marrëdhëniet dhe bashkëpunimin tonë mjaft të suksesshëm.

Faleminderit!