Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Foto e Deklarates per shtyp

Deklarata

Deklarata për shtyp e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, gjatë vizitës shtetërore në Azerbajxhan

I nderuar President Aliyev,

Të nderuar të pranishëm!

Shumë faleminderit për mikpritjen e ngrohtë!

Është kënaqësi për mua të jem në Azerbajxhan dhe të takohem sërish me mikun tim, Presidentin Aliyev.

Këtë vit shënohen 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona. Mendoj se kemi mjaft arsye për të qenë krenarë për këto marrëdhënie, të cilat janë sot më të mira se kurrë ndonjëherë. I shpreha vlerësimin tim Presidentit Aliyev për kontributin e tij thelbësor në forcimin e tyre.

Vitin e shkuar Presidenti Aliyev vizitoi Tiranën, ku shënoi dhe vizitën e parë të një Presidenti azer në Shqipëri. Më vjen mirë që impakti i asaj vizite u reflektua menjëherë. Nuk vonoi shumë dhe Parlamenti i Azerbajxhanit mori vendimin për hapjen e ambasadës në Tiranë. Gjithashtu, Shqipëria nga ana e saj mori të njëjtin vendim për të pasur edhe ajo një ambasadë në Baku, në vitin 2023.

Këto vendime do të afrojnë edhe më tej dy vendet tona, do të forcojnë dialogun politik, që edhe tani është në një nivel të shkëlqyer, si dhe do të promovojnë bashkëpunimin ekonomik e më gjerë.

Kemi plot arsye për të festuar këtë 30-vjetor miqësie, ndaj risolla në vëmendje me Presidentin disa nga hapat e tjerë të suksesshëm të hedhur në drejtim të afrimit të të dy vendeve.

Në maj të këtij viti, u mbajt Grupi i Përbashkët i Punës për Bashkëpunimin Ekonomik, Industrial dhe Teknologjik mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Ky grup pune, shënon një hap të rëndësishëm për të thelluar edhe më tej marrëdhëniet në sfera të tjera me rëndësi jetike.

Rënia dakord për krijimin e një Komisioni të Përbashkët Ndërqeveritar mbi bazën e Grupit të Punës që do të mbahet në Baku në vitin 2024, është tregues i qartë i frymës tejet konstruktive dhe i mirëkuptimit që ekziston mes palëve. Gjithashtu, në muajt e parë të këtij viti pata mundësinë që të isha pjesë e “Global Baku Forum”, një tjetër iniciativë tejet me vlerë për shkëmbimin e eksperiencave dhe vizioneve më të mira për të ardhmen e vendeve tona dhe të planetit.

Vizioni i jashtëzakonshëm i Presidentit Heydar Aliyev për një Azerbajxhan të zhvilluar dhe të fuqizuar në 100-vjetorin e lindjes së tij, është lehtësisht i prekshëm nga cilido që vjen dhe viziton këtë vend.

Memoria historike e asaj çka ai ka bërë për Azerbajxhanin do të mbetet gjthnjë prezente dhe do të shërbejë në zhvillimin e së ardhmes.

I dashur President Aliyev,

Të nderuar pjesëmarrës!

Shqipëria dhe Azerbajxhani janë të lidhura ngushtësisht përmes bashkëpunimit në sektorin energjetik. TAP, është tashmë një histori e konsoliduar suksesi.

Përfitimet e Shqipërisë nga TAP kanë qenë të shumta, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë të forcimit të peshës strategjike të Shqipërisë si portë dhe qendër rajonale për energjinë. Gazsjellësi Adriatiko-Jonian, do të kontribuojë akoma më shumë në rolin e Shqipërisë si shpërndarëse e gazit në rajon.

I rishpreha Presidentit Aliyev vullnetin e Shqipërisë për ndërmarrjen e hapave të shpejtë në kuadrin e gazifikimit të vendit, në bashkëpunim të ngushtë me Azerbajxhanin.

Shqipëria, një vend tranzit i gazit, është tashmë një realitet; Shqipëria, një vend përfitues i transmetimit të gazit, është një objektiv, ku për realizimin e të cilit vendi ynë angazhohet të thellojë edhe më tej bashkëpunimin.

 I theksova Presidentit Aliyev se Shqipëria mirëpret vëmendjen e shtuar të Azerbajxhanit në zhvillimin e projekteve rajonale të energjisë, që do të afronte edhe më tej vendet e Ballkanit Perëndimor, teksa në të njëjtën kohë do të forconte edhe pozitat e tyre energjetike.

Më herët u ndalëm dhe te çështjet me rëndësi në politikën e jashtme.

I thashë Presidentit se ndoqa me vëmendje bisedimet e javëve të fundit në Uashington mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë paqen afatgjatë në rajonin e Kaukazit Jugor, të ndërmjetësuar nga partnerët e besueshëm dhe organizatat ndërkombëtare.

I rishpreha Presidentit Aliyev se Shqipëria gjithnjë ka mbështetur integritetin territorial të Azerbajxhanit dhe zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

Edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dialogu është shumë i rëndësishëm që të shohim njëri-tjetrin jo përmes mërive të së djeshmes, por përmes mundësive të së ardhmes.

 Shpreha bindjen time se stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëndimor është element i domosdoshëm. Kosova dhe Serbia janë palë negociuese për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje dhe për ndërtimin e një fryme të re bashkëpunimi ndërmjet tyre. Respektimi i marrëveshjeve të dakordësuara nga palët, si mes tyre dhe në forumet ndërkombëtare, duhet të jenë pika orientimi drejt paqes së qëndrueshme. Prosperiteti dhe jo konflikti, duhet të jenë busulla e orientimit të mbarëvajtjes bilaterale dhe rajonale. Sa më shpejt të ndodhë diçka e tillë, aq më dobiprurëse bëhet për popujt tanë.

Me Presidentin u ndalëm edhe te lufta në Ukrainë.

Prezenca e dy vendeve tona në Konferencën e Rindërtimit të Ukrainës, është treguesi i vullnetit tonë për të parë një Ukrainë të zhvilluar dhe në paqe.

Me këtë rast ndamë edhe një herë tjetër mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës.

Ndihma në momente kritike është një gjest që popujt dhe shtetet nuk e harrojnë. E tillë ka qenë edhe mbështetja e Azerbajxhanit ndaj Shqipërisë, pas tërmetit tragjik të vitit 2019, ndaj i shpreha sërish mirënjohje Presidentit që na u gjendën pranë në ato ditë të vështira, “Miku i mirë njihet në ditë të vështira”.

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit është reflektuar më së miri edhe në kuadër të organizmave ndërkombëtare. I shpreha bindjen Presidentit Aliyev se edhe në vijim do të mbahet po ky ritëm shumë i mirë bashkëpunimi.

Së afërmi do të zhvillohet në Shqipëri “Java Kulturore e Azerbajxhanit”. Këto muaj, qytetet e Shqipërisë mbushen me turistë nga të gjitha vendet e botës, ndaj jam i bindur se “Java Kulturore e Azerbajxhanit” do të jetë një festë e vërtetë dhe një tregues se si kultura mund të afrojë njerëzit e shoqëritë.

Meqë përmenda turizmin, të dyja vendet tona e shohin turizmin me përparësi, si një sektor tejet të rëndësishëm për ekonominë. Për këtë arsye, thellimi i bashkëpunimit dhe prania e investimeve azere edhe në drejtim të turizmit janë të mirëpritura. Heqja e vizave është gjithashtu një tjetër mënyrë për të afruar më tej popujt tanë. Siç e përmenda, Presidenti Aliyev është një njeri që i përmbush premtimet në realitet, dhe sot më tha se heqja e vizave do të realizohet shumë shpejt, faleminderit President.

I dashur President,

I dashur Ilham!

Besoj se është e qartë se që nga vizita juaj në Tiranë, vendet tona me vullnet të mirë dypalësh dhe bashkëpunim, ia kanë dalë që të përkthejnë në veprime konkrete premtimet dhe zotimet e marra.

Le të jetë kjo vizitë e sotme, ashtu sikundër ishte vizita juaj, apo edhe të gjitha vizitat e nivelit të lartë që zyrtarët e të dy vendeve kanë shkëmbyer së fundmi, një tjetër shtysë pozitive në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes vendeve tona.

Në mbyllje, më lejoni President, t’ju falënderoj edhe një herë për mikpritjen e ngrohtë!

Është vërtet kënaqësi që jam këtu sot.