Presidenti i Republikës së Shqipërisë

thumbnail Kosova 5 1 1 1

Deklarata

Deklarata e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z.Bajram Begaj, në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidenten e Republikës së Kosovës, Sh.S.Znj. Vjosa Osmani

Përshëndetje !

Sot, një vit pas vizitës sime të parë si President i Republikës në Kosovë, kisha nderin dhe kënaqësinë t’i uroja mirë se ardhjen në një vizitë shtetërore në Shqipëri, Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Vjosa Osmani Sadriu.

Sërish ju uroj, mirë se erdhët në në shtëpinë tuaj Zonja Presidente!

Gjatë bisedave tona sot, përtej frymës vëllazërore, vëmendja u përqendrua tek çështjet më të rëndësishme të interesit ndërshtetëror, por edhe nevojës së një koordinimi më të mirë në funksion të trajtimit me frymë europianiste dhe euroatlantiste të çështjes sonë kombëtare.

Lidhur me bashkëpunimin ndërshtetëror, vëmendja kryesore u përqendrua në forcimin e thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik, në të gjitha aspektet.

Nënvizova se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, janë shumë të mira dhe se duhet gjithmonë të udhëhiqemi nga interesi kombëtar për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha nivelet, politik, ekonomik, social e kulturor, si dhe për të avancuar në proceset integruese euroatlantike.

Karakteri strategjik i marrëdhënënieve midis dy shteteve tona, është me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të gjithë rajonit.

Theksova gjithashtu, se askush nuk ka pse çuditet, se përse Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kjo ka qenë e mbetet devizë e çdo shtetari në Shqipëri, ndaj dhe rikonfirmova edhe njëherë mbështetjen time dhe të shtetit shqiptar për Kosovën kudo, në çdo forum rajonal apo ndërkombëtar.

Një vëmendje të shtuar ia kushtuam nevojës së nxitjet së mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

Shpreha kënaqësinë që gradualisht dhe në mënyrë shumë të natyrshme, Kosova është bërë një partner mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë. Kosova përfaqëson sot realisht tregun e dytë më të rëndësishëm për eksportet shqiptare të mallrave dhe shërbimeve.

Gjithashtu, shpreha kënaqësinë se sot, Kosova renditet si investuesi i tretë më i rëndësishëm ndër vendet e Gadishullit të Ballkanit në Shqipëri, me një stok investimesh të kënaqshëm.

Vlerësova, se një rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe luan dhe kuadri ligjor në fuqi, i cili lehtëson bashkëpunimin institucional në çdo fushë në të dyja anët e kufirit.

Në këtë kontekst, përshëndeta hapat e ndërmarra për lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar në funksion të nxitjes së shkëmbimeve tregtare, por edhe për nxitjen e mëtejshëm të bashkëpunimint në fushën e turizmit, apo të operimit të zyrës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, etj..

Turizmi mbetet një kontribues i rëndësishëm për ekonomitë e të dy shteteve, një fushë për të cilën institucionet e të dy vendeve mund dhe duhet të bëjnë edhe më shumë.

Ndërsa, në kuadër të bashkëpunimit rajonal, nënvizova se Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon dhe vende kontribuese të rëndësishme, për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm.

Në këtë aspekt vlerësova, se bashkëpunimi dhe bashkërendimi i politikave dhe veprimeve të të gjitha institucioneve tona, duhet të jetë një objektiv i qëndrueshëm dhe parësor, pasi kështu krijojmë të gjitha premisat, që faktori shqiptar të konsolidohet si faktor strategjik dhe faktor stabiliteti në rajon.

Sigurisht, që jashtë vëmendjes nuk mund të mbeteshin zhvillimet në Veriun e Kosovës.

Vlerësova, se pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, si the ndërhyrjeve hibride nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet një koordinim më i ngushtë dhe më i mirë me partnerët tanë kryesorë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, për të gjitha veprimet e ndërmarra.

Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe të drejtën e saj për të zbatuar ligjet dhe kushtetutën e vendit, por koordinimi me partnerët është i domosdoshëm. Në këtë aspekt vlerësova dhe hapat më të fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për de-eskalimin e situatës atje.

Gjithashtu, nënvizova se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara, është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve, si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshi OKB.

E sigurova Presidenten Osmani, për mbështetjen e plotë dhe angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar me çdo mjet dhe më të gjithë mundësitë e saj, në mënyrë konstruktive në funksion të këtij dialogu.

Përsa i përket procesit të njohjeve të Kosovës, ndamë mendimin se është i nevojshëm një koordinim dhe bashkërendim më i mirë i punës mes institucioneve të dy vendeve.

Mbajtja nga Shqipëria deri në fund të këtij viti të një vendi jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së por edhe pjesëmarrja ime në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të kenë në fokus çështjen e njohjes së Kosovës.

Vëmendje i kushtuam edhe bashkëpunimit në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe euroatlantik, ku ndër të tjera shpreha besimin për përmbylljen së shpejti të procesit të liberalizimit të vizave nga BE për qytetarët e Kosovës. Ky është veprim i vonuar por me shumë rëndësi praktike por edhe morale për të gjithë qytetarët e Kosovës.

E sigurova edhe njëherë Presidenten Osmani, se Shqipëria i mbështet fuqishëm aspiratat e Kosovës për integrimin Euroatlantik, dhe është proaktive për institucionalizimin e marrëdhënënieve të Kosovës me Aleancën e NATO.

Mbështetja do të vijojë të jetë e qenësishme, si për transformimin gradual të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, por edhe për anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut A5, si dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Është e drejtë legjitime dhe sovrane e Kosovës për të transformuar forcat e saj të sigurisë në forca të armatosura.

Ndërsa për trajtimin europianist të çështjes sonë kombëtare, edhe këtu vlerësova nevojën e një koordinimi e bashkëpunimi më të ngushtë për të avancuar dhe dhënë mbështetje të gjitha çështjeve që lidhen me ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të drejtat qytetare e politike të shqipëtarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shqiptarët kanë vërtetuar me vepra, se janë faktor paqeje dhe stabiliteti për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe qartësisht të orientuar ndaj vlerave evropiane dhe euroatlantike. Vetëm në këtë frymë jemi të predispozuar për të trajtuar të drejtat e shqiptarëve në rajon dhe çështjen tonë kombëtare.

Është në detyrimin kushtetues e moral të Shqipërisë dhe Kosovës, si dy shtete shqiptare në rajon, që të ndërveprojnë sa më mirë e sa më ngushtë në këtë drejtim.

Duke e mbyllur, Ju falënderoj edhe njëherë, Zonja Presidente, për pranimin e ftesës dhe zhvillimin e kësaj vizite shtetërore në Shqipëri.

Ju uroj qëndrim sa më të këndshëm së bashku me delegacionin që kryesoni.

Faleminderit dhe fjala për Ju!