04/12/2023• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, uroi Forcat e Armatosura të Shqipërisë për 111-vjetorin e themelimit.
Në një mesazh të posaçëm në profilin zyrtar në facebook, Presidenti Begaj u shpreh se Forcat e Armatosura janë krenari kombëtare, që kanë arritur me sukses të mbajnë lart flamurin dhe emrin e Shqipërisë.
Presidenti e vlerësoi angazhimin e tyre në një sërë misionesh dhe operacionesh për paqen dhe sigurinë në vend, rajon dhe botë, si dhe përmbushjen e detyrave me dinjitet, përkushtim dhe profesionalizëm.
Kreu i Shtetit, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, u shpreh se angazhimi i ushtarakëve ndaj atdheut, nderit e detyrës, mbetet i shenjtë, dhe mbështetja e shoqërisë do jetë e pakursyer për Forcat e Armatosura.
“Nderim dhe mirënjohje për secilin prej jush; djem, vajza, burra dhe gra, që shërbeni me guxim të pakrahasueshëm, sakrificë të thellë dhe përkushtim të palëkundur në misione të vështira, si edhe në ato paqeruajtëse jashtë kufijve tanë! Faleminderit që mbani lart me trimëri flamurin dhe emrin e Shqipërisë!”, – shkruan Presidenti Begaj në përvjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.